Ditmir Bushati dhe Marc Saxer: Dinamikat e konkurrencës mes aktorëve të mëdhenj botërorë, impakti te jeta jonë e përditshme

Ditmir Bushati, në podcastin e radhës “Public Square”, bisedoi me Marc Saxer, Drejtor i Fondacionit Friedrich Ebert për Azinë dhe Paqësorin. Biseda u fokusua te dinamikat e reja të konkurrencës mes fuqive të mëdha në një rend ndërkombëtar që po ndryshon me ritme të shpejta.

Në qendër të debatit ishin transformimi i arkitekturës globale të sigurisë, balancimi mes fuqive të mëdha, sfidat e Europës dhe perspektiva e një rendi të ri – Rendi Ndërkombëtar 2.0.

Saxer theksoi se Europa duhet të rimësojë politikën reale të gjeopolitikës dhe të pozicionohet si një aktor autonom në një botë shumëpolare, përmes manovrimit të kujdesshëm midis SHBA-ve, Kinës, Indisë dhe Rusisë. Ai paralajmëroi se nëse Europa nuk përshtatet me realitetin e ri, rrezikon të mos jetë më “aktor”, por “pjesë e menysë”.

Një tjetër pikë diskutimi ishte e ardhmja e social-demokracisë, e cila, sipas Saxer, përballet me një krizë legjitimiteti dhe presionin për të rindërtuar kontratën sociale të pas-viteve ’90. Në një kohë kur kërkohet rritje e shpenzimeve për mbrojtjen, infrastrukturën dhe tranzicionin energjetik, sfida qëndron në pyetjen se kush do ta paguajë çmimin: shtresa e mesme, pronarët e kapitalit apo mbrojtja sociale. Kjo përplasje financiare dhe politike ushqen “gjendjen populiste”, një klimë mosbesimi dhe frike te qytetarët, që kërcënon vetë themelet e demokracisë liberale.

Në fokus ishte edhe perspektiva aziatike, ku Saxer argumenton se nuk ka pasur kurrë një rend liberal funksional si në Europë. Azia e drejtohet nga logjika e sovranitetit dhe balancave të fuqisë, jo nga universalizmi perëndimor. Në këtë kontekst, Europa duhet të pranojë se rendi i ri global do të jetë rezultat i një negociate ndërmjet civilizimeve, jo imponim nga një qendër e vetme.

Temat e diskutuara përfshinë gjithashtu rolin e rendi digjital, ku konkurrenca teknologjike SHBA-Kinë po redimensionon fuqinë globale; sfidat e borxhit të vendeve të Jugut, emigracionit, ndryshimeve klimatike dhe shkëputjes së zinxhirëve të furnizimit global.

Në përfundim, Saxer thekson se në një botë me institucione shumëpalëshe të paralizuara dhe pa një fuqi dominuese, Europa duhet të marrë iniciativën për ndërtimin e një rendi të ri global, të bazuar në balancë, bashkëpunim të barabartë dhe vizion strategjik. Koha për të vepruar është tani – përndryshe, rrezikojmë një kthim në anarki ndërkombëtare të stilit të shekullit XIX.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×