Erion Braçe do të vijojë të jetë deputet i Parlamentit shqiptar, pasi ishte i dyti më i votuar në listën e hapur të PS në Tiranë. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 të moderuar nga Nisida Tufa, Braçe pohoi se për shkak të sistemit që garohej edhe brenda partisë, ka humbur miq.
Sipas Braçes, “të promovosh veten, është një gjë krejt legjitime, por që të shash tjetrin, sidomos brenda një partisë, nuk është normale, prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye”.
Nisida Tufa: Si ishte fushata dhe gara kësaj here?
Erjon Braçe: Lista e hapur ishte një garë e dyfishtë, një garë me opozitën në radhë të parë, por edhe një garë brenda pjesës tënde, brenda partisë tënde. Nëse e para është tradicionale, kjo e dyta patjetër që është e vështirë, veçanërisht për mua, sepse e kam parim që nuk dua të humb miq e shokë për një garë elektorale. Në të dyja aspektet u bë e vështirë, edhe për faktin se opozita nuk ishte inekzistente që thuhet. Në një njësinë 5 ishte i gjithë spektri i opozitës. Në krahun tjetër, ishin kolegët që kishin katër vjet në zonë, një pjesë edhe më shumë se katër vite, ndërsa unë kisha vetëm 2 muaj e pak ditë. Unë nuk kisha kohë për të njohur Tiranën, jo më për të bërë fushatë, pavarësisht se jetoj në Tiranë, por kam qenë i fokusuar në zonën time elektorale (Divjakë).
Nisida Tufa: Si e përjetuat kur e morët vesh që ishit në listë të hapur?
Erjon Braçe: Secili prej nesh duhet të mbajë barrë brenda partisë së tij. Duhet të mbaja peshë. Dy shqetësime kam pasur. E para, ndarja shumë paqësore me Divjakën. Meraku i dytë ishte koha e pamjaftueshme. Lista e hapur apo e mbyllur nuk ka qenë fare problem.
Nisida Tufa: Nuk e ndjetë garën mes kolegësh?
Erjon Braçe: Patjetër që sfidën e ndjeva, por meraku më i madh ishte mos humbja e miqve në këtë histori. Nga Divjaka në Tiranë kam humbur miq. Nuk ka triumf në politikë, mund ta fitosh një garë, por pas një jave mund të humbësh popullaritetin. Nuk ka triumfator në politikë. Ke bërë një garë, ke marrë një kontratë pune dhe shkon në punë. Pra, unë nuk e kam problem garën, edhe brenda partisë. Të promovosh veten, është një gjë krejt legjitime, por që të shash tjetrin, sidomos brenda një partisë, nuk është normale. Prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye.
Nisida Tufa: Keni patur zhgënjimet e tua lidhur me këtë?
Erjon Braçe: Patjetër që kam pasur. E thashë, përderisa kam humbur miq. Nuk kanë rëndësi emrat. Kjo është është e imja, është personale. Patjetër që ndikoi në fushatë sepse të destabilizon. Të vijnë fjalë të tipit: çfarë do me atë, ai nuk zgjidhet deputet, atë nuk e do Rama, nuk i merr dot votat. Kemi qenë aty, kemi luftuar bashkë, i kemi dalë në krah njëri-tjetrit, për çfarë e bën, për një vend deputeti?
Nisida Tufa: Patët komunikim me Kryeministrin?
Erjon Braçe: Po, komunikimi ka qenë vetëm për punën. Normalisht ky ka qenë shqetësimi. I dyti është pikërisht atë që thashë: nuk jam mësuar të kacafytem me njerëzit. Ka bërë edhe ai ndërhyrjen e vet, siç janë bërë edhe publike. Mora një urim për fitoren, sipas stilit të tij, kuptohet: Hajde urime, se na çmende! Unë nuk ndihem fitues se jam unë, por ndihem fitues se është PS-ja.
()