“Kryeministri” botohet edhe në arabisht, Ben Blushi: Për një gabim në përkthim përfundova kalemxhi në Arabi, kjo më pëlqen

Në vitin 2016, shkrimtari dhe publicisti i njohur Ben Blushi, botoi romanin e tij “Kryeministri”, një histori thriller imagjinare, siç ka shkruar në disa libra të tij.

Më në fund, pas dy vitesh përgatitje, ky roman është përkthyer edhe në arabisht. I kënaqur nga ko punë, autori Ben Blushi e ka ndarë këtë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Postimi i Blushit

Jam shumë i kënaqur që më në fund romani im Kryeministri u botua në gjuhën arabe nga shtëpia botuese e njohur Kalemat.
Pas gati dy vitesh përkthim dhe përgatitje, shefja e mrekullueshme e përkthimeve të Kalemat, Dalal Nsrallah, më dërgoi sot kopjet e romanit të përkthyer nga Ibrahim Fadlalla, një sudanez që jeton prej 25 vitesh në Kosovë.

Kryeministri u botua në Shqipëri në vitin 2016 dhe për shkak të kontekstit politik të kohës dhe angazhimeve të mia të stuhishme në atë periudhë, nuk mori vëmendjen e duhur.

Libri tregon historinë e një ushtari shqiptar që pasi dërgohet në Afganistan, ku amerikanët e trajnojnë si snajper profesionist, kthehet në Shqipëri dhe bëhet pa dashje pjesë e një atentati politik që përfundon me një vrasje.

Arabishtja është gjuhë zyrtare në 20 vende dhe sot flitet nga më shumë se 400 milionë njerëz në mbarë botën.

Para disa muajsh unë pata mundësinë të marr pjesë në një panair të rëndësishëm libri në Arabinë Saudite ku takova shumë botues, shkrimtarë, gazetarë dhe akademikë, të cilët më treguan se sa shumë po investon ky vend për kulturën, turizmin, hapjen ndaj botës dhe zgjidhjen e konflikteve të ashpra të Lindjes së Mesme.

Jam i bindur se pa tolerancën e Arabisë Saudite, bota do ishte një vend më i ashpër, Lindja e Mesme do ishte një ferr gjigant, ndërsa Islami do ishte një keqkuptim i vazhdueshëm.

Meqë ra fjala shtëpia që botoi Kryeministrin, quhet Kalemat, që në gjuhën e pasur arabe do të thotë fjalët.

Por kur fjala kalemat hyri në taksinë gjuhësore turke, e cila për 500 vjet transportoi shumë fjalë arabe në gjuhën tonë, u shndërrua në kalem, apo laps, apo penë.

Për shkak të këtij gabimi në përkthim, unë përfundova si një kalemxhi në Arabi.

Dhe kjo më pëlqen.

Është një gabim i bukur që shpresoj të përsëritet edhe në libra të tjerë.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×