Më 30 maj, Bashkia Kavajë çeli zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2025

Mbrëmjen e 30 majit, Bashkia e Kavajës çeli zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2025. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë festive, me pjesëmarrje të gjerë nga qytetarë të Kavajës dhe zonave përreth, si dhe nga përfaqësues të bizneseve vendase që promovuan produktet dhe shërbimet e tyre në funksion të turizmit lokal.

Ceremonia e hapjes së sezonit turistik në Kavajë shënoi një moment të rëndësishëm për jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë, Fisnik Qosja, theksoi përkushtimin e strukturave bashkiake për të garantuar një sezon të suksesshëm dhe ftoi turistët të vizitojnë bregdetin e Kavajës jo vetëm për bukuritë që i ka falur natyra, por edhe për turizmin elitar e funksional që ofron qyteti gjatë gjithë vitit.

Pas fjalimeve, festa vazhdoi nën tingujt e këngëve dhe valleve tradicionale, të drejtuara nga koreografët kavajas Ibrahim Roci dhe Myrteza Dimri. Në skenë performuan artistë të njohur të muzikës shqiptare, si Eneda Tarifa, Stresi, Ledri Vula dhe Flori Siano, të cilët ndezën atmosferën mes duartrokitjeve të publikut.

Më pas pranë stendave kishte biznese pjesëmarrëse, ku veçohen figura të njohura të sipërmarrjes dhe artizanatit lokal. Ndër ta, Fatbardh Belba, pronar i një kantine vere me çmime ndërkombëtare, shprehu gatishmërinë për të qenë pjesë e panairit dhe për të promovuar prodhimin vendas.

Në mesin e artizanëve, vëmendjen tërhoqi një mjeshtër i qypave, i cili kishte trashëguar profesionin e punimeve me baltë nga familja dhe po e transmeton tashmë edhe te djali i tij. Ai shprehu kënaqësinë që ky profesion ende vlerësohet dhe ruhet.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe shkrimtari Shefik Myftiu, i cili kishte ekspozuar librat e tij. Edhe pse pranoi se interesi për librin ka rënë ndjeshëm, ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në këto aktivitete. Panairi vuri në pah edhe profesione të tjera të artizanatit, si punime dore, çanta të thurura dhe qilima tradicionalë, që mbartin një vlerë të madhe artistike dhe përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të qytetit të Kavajës.

Mbrëmja u mbyll nën tingujt e muzikës dhe një atmosferë festive, ndërsa të pranishmit u shprehën të sigurt se ky ishte vetëm fillimi i një vere plot gjallëri për turizmin kavajas.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×