“Shkelje të rënda me votën e diasporës”/ PD: DHL ka shkelur kushtet e rëna dakord në kontratën me KQZ

Partia Demokratike ka ngritur shqetësime ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e akuzuar për vonesa të pajustifikuara në dhënien e informacionit lidhur me zbatimin e kontratës me kompaninë postare DHL, që sipas PD po cënon të drejtën për ankimim të rezultatit zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, bëri me dije se pas kërkesave të përsëritura që nga data 15 maj, vetëm më 23 maj Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi është prononcuar duke thënë se shumë shpejt do të mbërrijë informacioni zyrtar mbi zbatimin e kontratës nr. 1358/20 të datës 4 prill 2025, të lidhur mes KQZ-së dhe kompanisë DHL International Albania shpk.

Sipas Vangjelit, edhe pse DHL kishte dorëzuar një pjesë të materialit që më 22 maj, Komisioneri reagoi me 6 ditë vonesë, duke i kërkuar zyrtarisht kompanisë, përmes shkresës nr. 4444/4, të dërgonte me prioritet të lartë të dhënat për dërgesat e realizuara në të gjitha shtetet.

“Fakti që KQZ përgjigjet vetëm më 22 maj për kërkesa zyrtare të depozituara nga PD që në 9 maj, përbën pengesë serioze për subjektin zgjedhor ASHM për të ushtruar të drejtën e ankimimit dhe për t’u përgatitur në kohë për këtë qëllim,” deklaroi Vangjeli.

PD thekson se ekzistojnë dyshime të forta për mospërputhje mes numrit të votuesve dhe numrit të votave të regjistruara, ndaj kërkohet bashkëpunim i plotë dhe pa vonesa nga ana e Komisionerit Celibashi, për të garantuar transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Deklarata:

Pas kërkesave të përsëritura të përfaqësuesve të PD pranë KQZ që prej datës 15 Maj, në datën 23 Maj, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u prononcua se shumë shpejt do të mbërrijë informacioni zyrtar për zbatimin e kontratës nr.1358/20 datë 4 Prill 2025 së lidhur ndërmjet AK KQZ dhe ‘Kontraktorit DHL International Albania shpk’.

Ndërkohë edhe pse DHL ka paraqitur një pjesë të materialit që prej datës 22 Maj, Komisioneri 6 ditë më vonë ‘bëhet mbarë’ për ti kërkuar DHL me anë të shkresës nr. 4444/4 që të dërgojë me prioritet të lartë informacionin për dërgesat e dorëzuara në të gjitha shtetet.

Fakti që KQZ përgjigjet 11 ditë me vonesë në datën 22 Maj për kërkesa të PD drejtuar me shkrim që në datën 9 Maj, sjell si pasojë pengesën e subjektit zgjedhor ASHM të ushtrojë efektivisht të drejtën e ankimimit dhe përgatitjes në kohë për këtë qëllim.

Ekzistojnë dyshime serioze se ka diferenca votash krahasuar me numrin e votuesve, prandaj kërkohet nga Komisioneri Celibashi të bashkëpunojë maksimalisht e pa vonesë në mënyrë që të identifikohen sa më parë këto të dhëna.

Kujtojmë se deri tani kemi mjaftueshëm prova që vërtetojnë se kontrata numër 1358/20 datë 4 Prill 2025 e lidhur ndërmjet AK-KQZ dhe Kontraktorit DHL International Albania shpk nuk është zbatuar siç palët kanë rënë dakord në përputhje me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës, specifikimet teknike etj.

Neni 23 i KP të kësaj kontrate parashikon veprimet që KQZ ndërmerr në rast se provohet se DHL është angazhuar në praktika të ndaluara, siç është fakt publik dhe i provuar zbatimi i shërbimit nga nënkontraktorë të palejuar nga vetë kontrata.

Aq më shumë sikurse parashikon neni 23.4 KQZ mundet të ndërpresë kontratën në çdo kohë nëse gjykon se ky veprim duhet ndërmarrë për ti shërbyer sa më mirë interesit publik.

Ilirjan Celibashi ‘ta ndajë mendjen’ pas gjithë shkeljeve të faktuara me prova nga PD , është kundër apo pro ligjit dhe interesit publik….


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×