Finalizohet operacioni policor i koduar “Next”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Vihen në pranga 3 shtetas që bashkëpunonin për shitjen e dozave të kokainës dhe të kanabisit, në zona të ndryshme në qytet. Njëri nga të arrestuarit, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, 2 automjete, 3 celularë dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Në vijim të goditjeve ndaj veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i hetimeve të bazuara në informacionet policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Next”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
Zini Çiço, 55 vjeç dhe Juliana Çiço, 43 vjeçe (bashkëshortë), banues në Korçë;
Olger Shullëri, 36 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 4, Korçë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin O. Sh. dhe pasagjer shtetasi Z. Ç., dhe gjatë kontrrollit fizik ndaj tyre, kanë gjetur sasi lënde narkotike kokainë dhe një shumë parash. Më pas, gjatë kontrollit në banesat e tyre, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në dhjetëra doza gati për shitje dhe 2 peshore elektronike.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në subjektin (parukerinë) e shtetases J. Ç., u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.