Gjergj Leka sjell “Lulet e Majit”, një festival magjik ku fëmijët ishin yjet e skenës

Në një atmosferë të mbushur me ngjyra, muzikë dhe emocione të pastra, artisti i njohur Gjergj Leka organizoi për herë të parë festivalin muzikor për fëmijë “Lulet e Majit”, një ngjarje e veçantë artistike që solli në skenë talente të vegjël.

Me një përzgjedhje të kujdesshme të fëmijëve interpretues dhe një repertor të pasur me kompozime të reja, festivali u shndërrua në një festë të vërtetë të muzikës për fëmijë.

I zhvilluar në amfiteatrin e “Flumen Park”, nën një skenografi përrallore dhe regjinë e Erisela Markos, festivali u realizua tërësisht me kontribute vullnetare të miqve të artistit Gjergj Leka, një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe dashurisë për artin dhe fëmijët.

  • foto galeri
  • foto galeri

Prindërit e fëmijëve dhe të ftuar të tjerë ndoqën interpretimet e fëmijëve, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe entuziazëm.

Tekstet e këngëve ishin krijime të autorëve të njohur Odhise Grillo, Adelina Mamaqi, Tahsim Gjokutaj,  Thoma Goga (ky i fundit autor i tekstit të këngës së parë që Gjergj Leka ka kompozuar në moshën 12-vjeçare, e cila fitoi në anketën e Radios në qershorin e atij viti).

Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Amir Karaliç, Roberto Tomat, Maurizio Principe, Venus Production dhe Sajad Sepheri sollën krijime të reja për këtë festival, duke i dhënë jetë një mozaiku melodish të freskëta.

Një moment i veçantë ishte rikthimi në skenë i këngëve më të hershme për fëmijë, krijuar nga kompozitorët shqiptarë që nuk jetojnë më, si një kujtesë e homazh për ta.

Një ndër momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte kur në skenë, për të interpretuar një nga këto këngë të paharruara, u ngjit edhe artistja Mira Konçi, e cila ndodhej mes spektatorëve dhe surprizoi publikun me praninë dhe zërin e saj.

Të gjithë fëmijët pjesëmarrës u nderuan me çmime dhe përjetuan emocione të paharrueshme, teksa publiku i duartrokiti gjatë e me dashuri.

News24 dhe Radio RASH dhanë nga një çmim special për muzikën dhe tekstin më të bukur, duke theksuar rëndësinë që ky festival i dedikuar fëmijëve ka në promovimin e artit dhe kulturës.

“Lulet e Majit” u transmetua ekskluzivisht në ekranin e News24 në hapësirën e emisionit të Gjergj Lekës më 1 Qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke përcjellë mesazhin se muzika për fëmijë është një thesar që duhet mbështetur, ruajtur dhe kultivuar me dashuri.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×