Vijon procesi gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se në seancën e fundit janë paraqitur për të dëshmuar 5 të mitur, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen tragjike.
Dëshminë e tij e ka dhënë edhe një i mitur, i identifikuar vetëm më iniciale për shkak të moshës, K.B, i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e ngjarjes.
Dëshmitë e të miturve janë marrë sipas parashikimeve ligjore, pa praninë e të dyshuarit për vrasjen, Mario Perlleshaj.
Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë 7 persona të tjerë, prej të cilëve 4 janë të mitur, gjithashtu në cilësinë e personave me dijeni për ngjarjen.
Gjithë procesi po zhvillohet me dyer të mbyllura, duke ruajtur intimitetin e të miturve të përfshirë si dëshmitarë.