Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Qipros, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shtetit qipriot.
Në takimin me Presidentin e Republikës së Qipros, z. Nikos Christodoulides, Ministri Hasani theksoi se të dy vendet vlerësojnë marrëdhëniet miqësore dhe të konsoliduara mes tyre. “Është koha për t’i dhënë një shtysë të re dialogut politik ndërmjet Shqipërisë dhe Qipros, dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fusha si turizmi, energjia, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, arsimi, farmaceutika dhe ndërtimi,” – deklaroi ai.
Ministri Hasani u prit gjithashtu nga homologu i tij, Ministri i Jashtëm i Qipros, z. Costantinos Kombos. Ata patën një diskutim të thelluar mbi zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë. Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen e Qipros për integrimin evropian të Shqipërisë. “Shqipëria e konsideron Qipron një partner të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Presim me interes bashkëpunimin e ngushtë gjatë Presidencës së Qipros në Këshillin e BE-së në vitin 2026.” – shtoi ai.
Të dy ministrat shprehën interes për krijimin e një linje ajrore direkte mes dy vendeve, që do të nxisë ndjeshëm shkëmbimet turistike dhe lidhjet mes qytetarëve.
Gjithashtu, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Akademive Diplomatike të të dy vendeve për bashkëpunim në trajnimin diplomatik, me qëllim forcimin e aftësive profesionale dhe shkëmbimin institucional midis shërbimeve diplomatike.
Gjatë vizitës në Qipro, Ministri Hasani u takua gjithashtu me Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, znj. Annita Demetriu; si dhe Zëvendësministren e Jashtme, znj. Marilena Raouna – e cila do të drejtojë përgatitjet teknike për Presidencën e Qipros në BE në vitin 2026. Diskutimet u përqendruan në zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.