Nga Arabia Saudite vjen një lajm i bujshëm në lidhje me të ardhmen e Simone Inzaghit. Sipas mediave vendase, Inzaghi ka pranuar ofertën e Al Hilal: “Simone Inzaghi ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Al Hilal”, shkruajnë mediat saudite duke shtuar: “Të martën në mbrëmje është planifikuar një takim me drejtuesit e klubit për të projektuar Botërorin për Klube dhe sezonin e ri. Javën e ardhshme do të nis punën zyrtarisht në krye të Al Hilal”, lexohet ndër të tjera.
Oferta e klubit saudit mund të jetë e vërtetë, mund të jetë shumë e pasur, por në Itali nuk janë ende të qartë në këtë pikë, pasi sipas mediave italiane, Inzaghi dhe drejtuesit e Inter kanë planifikuar një takim kokë më kokë këtë të martë, madje La Gazzetta shkruan se “topi” është në këmbët e Inzaghi-t, i takon atij të vendos, nëse dëshiron apo jo të vijojë të jetë trajner i Inter, të respektoj kontratën.

Ndryshe nga La Gazzetta, Corriere ka një tjetër version që i shkon më përshtat lajmeve që vijnë nga Arabia Saudite: “Disfata në Champions dhe sinjalet e lamtumirës, Inzaghi dëshiron Al Hilal”, shkruan Corriere duke zbuluar se në rast largimi të tij, Inter do hidhet në sulm për të siguruar shërbimet e Fabregas.

Nuk është e lehtë edhe për Inzaghi-n të ringrihet pas një humbje të tillë në Champions, një disfatë 5-0 shkatërroi plotësisht Inzaghin dhe të besuarit e tij. Ky shihej si një sezon ku Inter mund të fitonte “tripletën”, pritshmëritë ishin shumë të mëdha, por në fund e mbyllën me dështim me zero tituj.
()