PD-ASHM kërkon nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga KQZ: Mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit

PD-ASHM kërkon nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga KQZ: Mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit

Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) i ka kërkuar KQZ-së për verifikim të menjëhershëm, pasi koalicionit opozitar mungojnë 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit.

Nisur nga kjo, PD-ASHM kërkon nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, PD kërkon sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, për të treguar qartë vendndodhjen dhe trajtimin e mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhet numri total i fletëve të prodhuara me shumën e atyre të përdorura + të papërdorura + të dëmtuara.

KËRKESA E PD-ASHM

Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)

Lënda: Kërkesë për verifikim të menjëhershëm

Baza ligjore: Kushtetuta e RSH; nenet 19, 97, 99, 123/1, 160 e vijues të Kodit Zgjedhor.

Nga: Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM)

I nderuar z. Komisioner,

Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me informacionet dhe të dhënat zyrtare që na janë përcjellë nga KQZ ditën e djeshme, si rezultat i kërkesave tona të përsëritura gjatë procesit të ankimimeve të PD-ASHM në KAS.

Shqetësimi ynë lidhet me faktin se, për zgjedhjet e 11 majit 2025, mungojnë më shumë se 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit.

Më datë 04.04.2025, me vendimin tuaj nr. 407, “Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhësit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”, në faqen nr. 138 të materialit specifikohet qartë se në rang vendi janë miratuar:

  • 5.225 Qendra Votimi (QV)
  • 3.467.962 zgjedhës
  • 66.830 fletë votimi rezervë (që përfaqësojnë 2% rezervë)
  • dhe në total: 3.534.792 Fletë Votimi (FV)

Por, sipas të dhënave zyrtare të vetë institucionit që ju drejtoni, rezulton:

  • 3.534.792 fletë votimi të prodhuara
  • 1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit
  • 1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura
  • 5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara

Pra, diferenca tregon qartë se mungojnë saktësisht 130.754 fletë votimi të papërdorura!

Në vijim të sa më sipër, kërkojmë:

  • Nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor.
  • Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, për të treguar qartë vendndodhjen dhe trajtimin e mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhet numri total i fletëve të prodhuara me shumën e atyre të përdorura + të papërdorura + të dëmtuara.

Me respekt,

Përfaqësuesi i PD-ASHM në KQZ

Franci Nuri

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×