Përplasja mes dy familjeve fqinje në fshatin Kozarë të Kuçovës, Salla dhe Avrami, për një kufi toke ka hyrë në një tjetër fazë, por ende pa zgjidhje.
Edhe pas ndërhyrjes së institucioneve, matjeve zyrtare dhe pranisë së policisë, mosdakordësitë dhe tensionet vazhdojnë.
Pas incidentit të dhunshëm ku Maksim Avrami shtyu dhe pështyu fqinjën e tij, Lume Salla, në prani të kamerave të emisionit “Tak Fak”, gazetarja Rovena Cerka e shoqëroi Lumen për të depozituar denoncimin në komisariatin e policisë së Kuçovës.
Pas këtij hapi, u përfshinë edhe institucionet lokale, me përfaqësuesin e njësisë administrative të Kozarës, Fatjon Demo, i cili njoftoi Bashkinë e Kuçovës për të sjellë topografët dhe specialistët për rivendosjen e kufirit të debatueshëm.
Në prani të të dyja familjeve, forcave të policisë dhe specialistëve të bashkisë, u kryen matjet zyrtare të tokës.
Por në vend që të sjellin zgjidhje, matjet treguan se të dyja familjet kishin përfituar tokë më shumë sesa figuron në certifikatat e tyre të pronësisë.
Kjo çoi sërish në tensione, debat, akuza dhe mosdakordësi për rivendosjen e kufirit, duke e kthyer fushën në një skenë kaosi dhe fjalësh të rënda, edhe pse nën mbikëqyrjen e institucioneve.
Gazetarja Rovena Cerka i bëri thirrje të dyja palëve të heqin dorë nga një konflikt që rrezikon të përshkallëzohet edhe më tej, për një “pëllëmbë tokë” që nuk justifikon as dhunën, as pasojat. Por palët nuk pranojnë të lëshojnë pe.
Përfaqësuesi i Bashkisë së Kuçovës, Nazmi Suli nga Drejtoria Bujqësore, deklaroi se i vjen keq për mungesën e konsensusit dhe propozoi një zgjidhje administrative: t’u hiqet toka shtesë të dyja familjeve, në mënyrë që të rikthehen në sipërfaqen e përshkruar në certifikatat e pronësisë.
Megjithë përfshirjen e autoriteteve dhe dokumentimin mediatik të situatës, konflikti mes familjeve Salla dhe Avrami mbetet i pazgjidhur. Me shumë gjasë, përplasjet do të vijojnë, ndërsa një kufi i paqartë rrezikon të prodhojë pasoja të rënda sociale e ligjore.
()