Linja ajrore kombëtare e Letonisë, airBaltic, ka nisur sot dy destinacione të reja direkte nga Tirana, duke lidhur kryeqytetin shqiptar me Talinin (Estoni) dhe Vilniusin (Lituani). Këto destinacione të reja plotësojnë lidhjen e plotë me rajonin, duke iu shtuar fluturimeve direkte mes Tiranës dhe Rigës (Letoni), e cila ka filluar në sezonin veror të vitit të kaluar.
Mantas Vrubliauskas, Zëvendës President për Menaxhimin e Rrjetit në airBaltic, u shpreh:
“Jemi të entuziazmuar që po zgjerojmë praninë tonë në tregun shqiptar me dy linja të reja direkte nga Tirana drejt Talinit dhe Vilniust. Pas një kërkese në rritje për linjën tonë Tirana–Riga, ky është një hap i natyrshëm – duke lidhur Shqipërinë me të tre kryeqytetet Balltike. Talini dhe Vilniusi janë dy qytete mbresëlënëse, secili me një përzierje dinamike të historisë së pasur, kulturës së gjallë dhe krijimtarisë moderne. Me padurim presim më shumë udhëtarë shqiptarë për të eksploruar Balltikun me airBaltic”.
Në fluturimet midis Tiranës dhe rajonit Balltik, airBaltic do të ofrojë bileta të klasës ekonomike dhe asaj biznes. Pasagjerët e klasës biznes do të përfitojnë një paketë të plotë shërbimesh, përfshirë check-in dhe imbarkim me përparësi, një vend në pjesën e përparme të kabinës me një vend bosh për më shumë privatësi, një vakt të rafinuar të shoqëruar me pije cilësore, si dhe zbritje të shpejtë pas mbërritjes. Gjatë gjithë fluturimit, një ekuipazh i dedikuar për klasën biznes do të sigurojë shërbim të shkëlqyer.

Marsida Pallko, Administratore e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, shtoi:
“Pas nisjes së suksesshme të linjës Tirana–Riga vitin e kaluar, mezi presim që edhe këto dy destinacione të reja të jenë po aq të suksesshme. Lidhja me rajonin Balltik është një prioritet për ne. Si Estonia ashtu edhe Lituania përfaqësojnë tregje me potencial turistik, ekonomik dhe digjital – dhe tashmë ndodhen vetëm disa orë larg”.
Këto destinacione të reja hapin mundësi të reja emocionuese për udhëtarët qoftë për qëllime turistike apo biznesi, drejt kryeqyteteve të bukura dhe të pasura në kulturë të Balltikut. Çmimet e biletave për destinacionet e reja nisin nga 105 euro në klasën ekonomike dhe 315 euro në klasën biznes për linjën Tiranë–Talin, dhe nga 95 euro në klasën ekonomike dhe 289 euro në klasën biznes për linjën Tiranë–Vilnius.

airBaltic operon afro 130 destinacione nga Riga, Talini, Vilniusi, Tampere dhe, sezonalisht, Gran Canaria, duke ofruar lidhje me një gamë të gjerë destinacionesh në rrjetin e saj në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe rajonin e Kaukazit. Orari i plotë i fluturimeve dhe biletat janë të disponueshme në faqen zyrtare të kompanisë: www.airbaltic.com
Rreth airBaltic:
airBaltic (Air Baltic Corporation AS) është linja ajrore udhëheqëse në Balltik dhe një nga kompanitë ajrore me rritjen më të shpejtë në Evropë. Si një kompani hibride, ajo kombinon avantazhet e transportuesve tradicionalë dhe atyre me kosto të ulët. Përmes një rrjeti prej afro 130 linjash nga Riga, Talini, Vilniusi, Tampere dhe sezonalisht Gran Canaria, airBaltic lidh Balltikun me mbi 70 destinacione në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Kaukaz.
E themeluar në vitin 1995, sot airBaltic operon një nga flotat më të reja në Evropë, me 50 avionë Airbus A220-300, dhe punëson mbi 2 800 punonjës. Në shkurt të vitit 2025, airBaltic u bë linja e parë ajrore në Evropë që ofron internet me shpejtësi të lartë Starlink nga SpaceX falas në fluturimet e saj.
Kompania është në pronësi shumicë të shtetit Letonez, me një pjesëmarrje prej 97.97%, ndërsa pjesa tjetër 2.03% zotërohet nga aksionerë privatë. Në janar 2025, Lufthansa Group njoftoi investimin e saj në një pjesë minoritare të airBaltic, me përfundimin e transaksionit të parashikuar për tremujorin e dytë të 2025.

Përkushtimi i airBaltic ndaj cilësisë është vlerësuar me çmime të shumta prestigjioze, përfshirë emërimin si “Linja Ajrore më e Mirë në Rajon” nga Skytrax për tre vite radhazi. Në vitin 2023, APEX i dha kompanisë çmimin “Shërbimi më i Mirë në Kabinë në Evropë”, ndërsa në vitin 2024, ajo mori çmimin “APEX Four Star Major Airline”. Po atë vit, kompania u vlerësua me çmimin PROS AI Innovator Award për përdorimin e inteligjencës artificiale në optimizimin e operacioneve. Në vitin 2025, airBaltic u rendit për herë të parë në listën globale të Airline Ratings, duke u përfshirë në 50 linjat më të sigurta në botë dhe në listën e linjave më të mira për vitin 2025.

Rreth AEROPORTIT NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS (TIA):
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) është porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor. Drejtuar nga Grupi Kastrati, TIA ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit falë investimeve të gjera në infrastrukturë dhe përmirësimeve teknologjike. Sot, aeroporti ofron shërbime të avancuara për pasagjerët, kapacitete të rritura dhe ambiente moderne që plotësojnë kërkesën gjithnjë në rritje për udhëtime. Në vitin 2025, TIA pritet të shërbejë mbi 12 milionë pasagjerë, duke riafirmuar rolin e tij si një nyje kyçe për lidhje, turizëm dhe zhvillim rajonal.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Njësia e Komunikimit Korporativ, airBaltic
Air Baltic Corporation AS
📧 Email: [email protected]
()