Egnatia, kampione edhe në shitjen e lojtarëve/ Rrogozhinasit fitojnë mbi 500 mijë euro nga transferimet

Egnatia po përpiqet të sillet si një klub europian dhe mbi të gjitha të krijojë një model në futbollin shqiptar. Të paktën, këto tre vitet e fundit është përpjekur ta bëjë dhe mund të thuhet se ia ka dalë mirë.

Fiton trofe, thith tifozët në stadium, shet edhe blen lojtarë dhe mbi të gjitha arkëton të ardhura që i vë në dispozicion të skuadrës edhe për vitin pasardhës.

Një gjë duket se e kanë kuptuar mirë në kampin rrogozhinas, që duhet të blejnë lojtarë me pak kosto dhe më pas të shesin më shtrenjtë që t’u dalin bilancet pozitive në këtë aspekt. Të paktën, kështu ka ndodhur vitin e fundit dhe që me shumë gjasa në klub do të mundohen ta përsërisin sërish.

BLERJET – Kur vjen puna për të afruar lojtarë që skuadrës mund t’i bëjë punë, drejtuesit nuk kursehen që të plotësojnë nevojat. Verën e vitit të kaluar, rrogozhinasit zgjidhën “qesen” për të afruar dy futbollistë në skuadër.

Bëhet fjalë për Muhamed Jahajën që e afruan nga skuadra e Akra Lions për vetëm 60 mijë euro. I dyti që iu bashkua kampionëve me një kosto prej 50 mijë eurosh, ishte mesfushori Serxho Ujka nga skuadra e Laçit. Dy afrime këto që patën një kosto totale prej 110 mijë eurosh, që u përballuan pa shumë problem nga arkat e klubit. Deri – diku ata arritën t’i justifikonin paratë e hedhura për ta, për aq kohë sa ekipi arriti edhe realizimin e objektivave, siç ishte fitimi i titullit kampion.

SHITJET – Në Rrogozhinë së pari mendojnë se çfarë do shesin dhe më pas të blejnë. Vitin e kaluar kështu ndodhi, me rrogozhinasit që arritën të shesin dy lojtarë jashtë vendit. Sulmuesi Melih Ibrahimoglu kaloi më radhët e Koniaspor në Turqi për 350 mijë euro, ndërsa portieri Alen Sherri u transferua në Serinë A me skuadrën e Kaljarit për shumën e 300 mijë eurove.

Në total, këto dy shitje kushtuan 650 mijë euro, jo pak për një klub shqiptar. Në total, nga këto operacione të merkatos së vitit të kaluar, Egnatia e mbylli me një bilanc pozitiv prej 540 mijë eurosh, që iu shtuan edhe përfitimeve të tjera që rrogozhinasit morën si fitues të kampionatit dhe pjesëmarrjes në Europë.

STRATEGJIA – Burimet në klubin rrogozhinas pohojnë se e njëjta strategji do të ndiqet edhe këtë sezon. Nuk do të stepen për të paguar nëse nevojitet për të afruar lojtarë me pak kosto dhe nga ana tjetër të shesin nëse arkëtojnë shuma të kënaqshme. Një politikë që ka nisur para dy sezonesh dhe që pritet të perfeksionohet sa më shumë në të ardhmen.

MERKATO 2024

Këtë sezon ende nuk ka pasur blerje apo shitje, për vetë faktin se merkato sapo ka nisur. Gjithsesi, në Rrogozhinë e kanë kuptuar se kjo është një nga mënyrat më të mira për të mbajtur ekipin nën tonus dhe mbi të gjithë të mos u mungojnë paratë për të pretenduar trofe dhe më e pakta, pjesëmarrje në kupat e Europës.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×