Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i është përgjigjur zyrtarisht Partisë Demokratike lidhur me kërkesën për verifikimin e fletëve të votimit të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit 2025. Në përgjigjen e firmosur nga Komisioneri Ilirjan Celibashi, saktësohet se janë 99,455 fletë votimi të papërdorura që u përkasin 233 qendrave të votimit, të cilat gabimisht janë raportuar si “0” në procesverbalet përkatëse.
Sipas KQZ-së, numri total i fletëve të papërdorura është 1,935,328, bazuar në të dhënat zyrtare të raportuara nga çdo qendër votimi. Këtij totali i shtohen edhe:
27,340 fletë votimi të papërdorura në 74 QV ku u aplikua votimi elektronik (në Vorë dhe Njësinë nr. 10 në Tiranë),
99,455 fletët e raportuara gabimisht si të përdorura,
si dhe 5,369 fletë votimi, për të cilat ka pasaktësi në raportim, por që konsiderohen gjithashtu të papërdorura.
KQZ thekson se këto pasaktësi burojnë nga gabime në plotësimin e procesverbaleve nga komisionet e Qendrave të Votimit dhe se të gjitha sqarimet janë bërë në kuadër të transparencës dhe verifikimit të rregullsisë së procesit zgjedhor.
Përgjigja e KQZ ndaj PD:
I nderuar Z. Nuri
Në përgjigje të kërkesës tuaj lidhur me verifikim të menjëhershëm të fletëve të votimit të përdorura për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025, ju informojmë se :
Numri prej 1,935,328 fletë votimi të papërdorura përfshin vetëm sasinë e raportuar të këtyre fletëve sipas procesverbaleve të çdo QV-je.
Këtij numri i duhen shtuar edhe:
- 27,340 fletët e votimit për 74 QV, ku ështe aplikuar votimi elektronik, ZAZ Nr.27 (Bashkia Vorë) dhe ZAZ Nr. 41 (Njësia Administrative 10, Tiranë). Sikurse mund të kuptohet edhe këto fletë votimi nuk janë përdorur;
- 99,455 fletë votimi të papërdorura që përbëjnë sasinë e këtyre fletëve për 233 QV, në procesverbalet e të cilave gabimisht është shënuar me “0” numri i fletëve të papërdorura;
- 5,369 janë fletë votimi të papërdorura por që numrat e tyre në test llogjik vlerësohet se janë pasqyruar me gabime në procesverbalet përkatëse për çdo QV (janë 1,380 QV që kanë raportuar këto të dhëna me gabime).
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve
Ilirjan CELIBASHI