Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, komentoi në një intervistë për News 24 pjesëmarrjen e Monika Kryemadhit në fushatën për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar si një “shaka të madhe”. Sipas Blushit, ndërsa Kryemadhi ftonte qytetarët të votonin për Ilir Metën, e në të njëjtën kohë godiste bashkëpunëtorët më të afërt të tij.
Blushi theksoi se zgjedhjet e 11 majit ishin të manipuluara dhe të shoqëruara me presion dhe kërcënime ndaj qytetarëve, duke i quajtur ato “terrorizëm elektoral”. Ai deklaroi se administrata publike është përdorur masivisht dhe se qytetarët janë kërcënuar me vendin e punës. “8000 heronj kanë votuar për Ilir Metën në kushte presioni e shantazhi,” tha Blushi, duke nënvizuar se Partia e Lirisë ka nisur analizën e rezultatit dhe këtë javë do të përfundojë procesin e vetëpërmirësimit.
Tedi Blushi: Zgjedhjet e 11 majit ishin terrorizëm elektoral. Ka pasur kërcënime për largim nga puna dhe është përdorur masivisht administrata publike. Partia e Lirisë ka nisur analizën e rezultatit. Nuk doja të flisja për temën e fushatës, është shaka e madhe që ndërkohë që fton njerëzit që të votojnë Metën, godet bashkëpunëtorët e tij më të afërt. 8000 heronj në kushte të vështira presioni e shantazhi votuan për presidentin Ilir Meta.
Këtë javë mbyllim procesin e analizës. Do vetëpastrojmë partinë, nga ata individë që kanë përfituar nga PL dhe Meta, por që janë sot pranë Edi Ramës. Këta individë i kanë marrë fytyrën vetes së vet. Votat e Partisë së Lirisë janë tjetërsuar. Pra votat nuk janë tretur, pasi njerëz të PL janë aktivë. Partia ka strukturë solide. Meta në qendrën e tij të votimit doli më mirë se edhe ne të tjerët që ishim në liri. Sigurisht që ka vend që të vetëpërmirësohemi. Ka qenë parti që është goditur fort, teksa presidenti i partisë mbahet në izolim ekstrem.