Rreth 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për gjuhën e huaj.
Provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Janë rreth 145 qendra provimi, ku çdo qendër administrohet nga një përgjegjës administrimi dhe nga administratorë të caktuar për çdo mjedis ku zhvillohet provimi.
Gjithashtu janë të angazhuar më shumë se 640 mësues që do të korrigjojnë testet.
Provimet do të zhvillohen në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi speciale.
Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 10 qershor, Matematikës më 17 qershor dhe provimit me zgjedhje më 24 qershor.