Një ëndërr, një fiks, një goditje e çmendur, quajeni si të doni, por fakt është se Igli Tare kërkon të vë në jetë një goditje të vërtetë, kërkon të sjell në Milano ish “Topin e Artë”, mesfushorin e famshëm, Luca Modric. Sigurisht nuk bëhet fjalë për një goditje top, për një blerje të bujshme, por për një lëvizje me zero kosto, bëhet fjalë për një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij prej më shumë se një dekade. Luka Modric u përshëndet me tifozët në “Bernabeu”, ndërsa pas Botërorit për Klube do të largohet zyrtarisht nga Real Madrid.
Modric kërkon të jetë në kushte optimale për Botërorin e tij të fundit me Kroacinë, për këtë arsye kërkon të jetë pjesë e një ekipi cilësor. Modric është një tifoz i vjetër i Milan, që nga koha kur Zvonimir Boba, idhulli i tij, mbante të veshur fanellën kuqezi. Milan nuk është një skuadër thjesht sa për të mbyllur karrierën, për këtë është i vetëdijshëm edhe Modric. Më moshën 40-vjeçare, ëndrra e tij për të veshur fanellën e “djallit” mund të bëhet realitet.

Mund të vijë Modric, por nga Milano pritet të largohet Theo Hernandez. Anësori francez ka një kontratë të vlefshme deri në 2026, por këtë verë Theo mund të ndryshojë ambient edhe pse është një lojtar që Allegri e pëlqen shumë.
Nga Arabia Saudite janë të gatshëm t’i plotësojnë çdo kërkesë ekonomike. Al Hilal i ofron 18 milionë euro në sezon. Përfaqësues të klubit saudit kanë trokitur në derën e Tares me një ofertë prej 30 milionë euro për kartonin e tij, por që është refuzuar në mënyrë të prerë nga Drejtori Sportiv i Milan.
()