“Ne fituam një mandat me 64 mijë vota e PS me 7 mijë”/ Lapaj: Opozita të bashkohet për të ndryshuar kodin zgjedhor. Do nisim punën që tani për zgjedhjet lokale të 2027

Kryetari i partisë Shqipëria bëhet, Adriatik Lapaj, i ftuar në studion e News 24 tha se dyshon se procesi zgjedhor më 11 maj ka qenë i manipuluar. Ai tha se Shqipëria bëhet ka fituar një mandat me 64 mijë vota, ndërsa PS ka marrë mandat me 7 mijë vota në Vlorë. Ai i bëri thirrje spektrit opozitar që të bashkohen për të ndryshuar kodin zgjedhor.

“Zgjedhjet nuk ishin fitore. Fitore do ishte nëse do ishte çarë sistemi. Fitore do ishte nëse do shkonim në zgjedhje të parakohshme. Ne kemi kërkuar rinumërim të çdo kutie dhe verifikim të vulave. Hapën një kuti në Vlorë, sa për të na hedhur hi syve. Procesi dyshojmë se ka qenë i manipuluar. Ne duam t’i shkojmë ligjit deri në fund. Ligji thotë se fletët duhet të shikohen në kamera në të dyja anët. Janë bërë abuzime në Vlorë e në Fier. Ne kemi dalë të tretët nga gjitha partitë. Ne kemi bërë fushatë edhe në qarqe, ku e kishim të vështirë si në Dibër, Kukës etj dhe e kemi bërë këtë, për të thënë se sistemi zgjedhor nuk është i drejtë. Ne fituam një mandat me 64 mijë vota, ndërsa PS në Vlorë ka fituar një mandat me 7 mijë vota. PS ka marrë 10 mandate plus nga formula e ky është gabim fatal i PD-së, e duhet të kërkojnë falje dhe duhet një bashkim opozitar, që të ndryshohet sistemi zgjedhor. Qeveria ka me vete biznesin, ka krimin, administratën e shtetit. Populli shqiptar duhet të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor”, tha Lapaj.

 

Më tej, Lapaj shtoi se ‘Shqipëria bëhet’ do të punojë për zgjedhjet e vitit 2027. Sipas tij, këto ishin zgjedhjet më të këqija që nga viti 1996.

“Për këtë do shprehem më vonë, kur të vendosë Kryesia. Në kuptimin e garës, mandati shkon tek ai që është më i votuari, por do shprehem më vonë për këtë. Ne kemi marrë votat e njerëzve që janë idealistë, që besojnë se vendi ka nevojë për ndryshim radikal vendi ynë. Ne donim të jemi parti kombëtare dhe jo të jemi parti rajonale. Me Dash Sulën kishim një diskutim dhe u tejkalua si moment. Aleksis Tsipras e ka nisur me 3.3 përqind të votave, Georgia Meloni gjithashtu ka marrë 4-5 përqind dhe sot është kryeministre. Ne kemi vijimësi të kauzës. Do nisim fushatë për zgjedhjet e 2027 që tani. Unë dhe ekipi im do zbresim që tani në fushatë e ne Shqipërinë do ta bëjmë. Nuk do e lë këtë betejë, por do e çoj përpara. Është një sakrificë që bëjmë për të bërë Shqipërinë. Jam në pozicion përballë pushtetit. Këto ishin zgjedhjet më të këqija pas 1996. Krimi i organizuar në zgjedhje luan rol parësor, pasi dalin njerëz më të votuar se kryeministri. Administrata keqpërdoret në formën më të keqe”, deklaroi Lapaj.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×