
Diola Dosti dhe Erolld Belegu po jetojnë një lidhje në një moment të pjekur të jetës së tyre. Nutricionistja është nënë e tri vajzave, ndërsa biznesmeni ka dy fëmijë, një vajzë e një djalë, 31 dhe 25 vjeç.
Kjo lidhje e tyre shënon një ngjarje të rëndësishme edhe për familjet respektive, të cilat duket se e kanë pranuar menjëherë njëra-tjetrën. Në këtë intervistë të parë si çift, ekskluzivisht për programin “Rudina” në Tv Klan, Diola dhe Erolldi ndajnë kujtime nga takimi me fëmijët e njëri-tjetrit. Diola ndalet te një moment shumë i ndjerë me vajzën e Erolldit, me të cilën ruan një lidhje të ngushtë.
Për nutricionisten, një çast po aq i rëndësishëm qe pranimi i Erolldit nga vajzat e saj dhe përqafimi i tij me Gjurmën që ‘vulosi’ gjithçka.
Diola Dosti: Unë herën e parë që kam takuar Tean kam pasur një ndjesi të veçantë dhe sikur ajo më përqafoi dhe më pranoi shumë lehtësisht dhe këtë e kam kuptuar vetëm nga një kapje dore që Tea më ka bërë. Momenti i parë ka qenë në një lokal që shkuam së bashku dhe ajo ishte rastësisht aty, nuk ka qenë asgjë e improvizuar, unë e takova, normale me atë dashamirësinë që mua më karakterizon për të gjithë njerëzit, por me thënë të drejtën, kisha edhe pak frikë sesi do të reagonte, sesi do të më pranonte, sesi do të më shikonte. Tea në një moment më kap dorën dhe më thotë ‘hajde shkojmë këtu’ dhe ma kap dorën si një fëmijë dhe me të vërtetë ajo ishte një lloj simbolike ose sinjali për mua që kjo vajzë më pranoi për këtë që jam. Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer bashkë, unë flas më shumë me të në fakt, kemi komunikim shumë të mirë. Edhe djalin në të njëjtën kohë, me djalin jemi takuar në shtëpi herën e parë. Edhe Dioni është një dashuri më vete. Jam vërtet shumë e lumtur sepse në fillim kisha jo frikën, por në njëfarë mënyre ke një lloj meraku që do të pranohem. Nëse flasim për vajzat e mia, ka qenë një moment, i kam thënë edhe Erolldit, kush ka qenë vula e sigurisë që unë e mora që ky njeri vërtet është i jashtëzakonshëm, ka qenë përqafimi i Gjurmës herën e parë kur ka takuar Erolldin. Erolldi bëri një organizim për doktoraturën, sapo përfundova doktoraturën dhe kur Gjurma ka shkuar, e përqafonte, sikur kishte vite me radhë që njihte dhe mua që më shkrihej shpirti sepse patjetër, unë në jetën time nuk kam bërë asnjëherë asgjë që vajzat e mia nuk e kanë aprovuar, kështu që ishte ndjesi e veçantë.
Rudina Magjistari: Si ua ke shpjeguar sepse ti duke pasur vajzat më të vogla, Erolldi i ka të rritur fëmijt dhe ata e kuptojnë shumë mirë, nuk ka nevojë për shpjegim sepse është shumë normale në fakt e gjitha kjo që po ndodh, por duke qenë ato më të vogla, si ua ke shpjeguar ti tashmë një tjetër dashuri të madhe në jetën tënde?
Diola Dosti: S’e ke idenë sa janë gëzuar kur morën vesh që është nga Kosova. E madhja ka lindur në Tiranë, dy të voglat në Prishtinë dhe kanë një dashuri shumë të madhe për Kosovën dhe jo vetëm që janë gëzuar, por filluan të bënin plane për jetën e tyre, për jetën tonë sesi unë të zhvendosesha në Kosovë dhe ato do të zhvendoseshin në Kosovë pa diskutuar me mua. Në një moment, vijnë dhe më thonë “shiko mami se ne e kemi vendosur, do të zhvendosemi në Kosovë, ti partnerin e ke nga Kosova, edhe ty të lehtësojmë punë, edhe ne vdesim për Kosovën siç e di”. Ato ishin super të lumtura, aq më tepër kur e dinin që do të riktheheshin në Kosovë.
Njëkohësisht, Erolldi shton se Diola ka një lidhje të ngushtë edhe me nënën e tij.
Erolld Belegu: Ndodh shumë shpesh kur Diola s’është në shtëpi dhe unë dal në mbrëmje dhe më thotë, “me mend në kokë, ku po shkon, a vonohesh”. Jam unë djali yt apo kjo i them. Janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, kjo kujdeset për mamanë vazhdimisht dhe kanë një marrëdhënie të veçantë./TvKlan