Në Shijon të Elbasanit u kremtua Dita e Shën Joan Vladimirit ,festa që bashkon popujt përmes besimit

Këtë mesjavë në Kishën e Shën Joan Vladimirit në  Shijon të Njësisë Administrative Bradashesh të Elbasanit, u kremtua me solemnitet Dita e Shën Joan Vladimirit, një ngjarje që bashkon besimtarë ortodoksë nga Shqipëria dhe rajoni.

Kjo festë ka një rëndësi të veçantë për komunitetin ortodoks, pasi përkujton jetën dhe veprën e Shën Joan Vladimirit, një figurë e shenjtë që ka kontribuar në përhapjen e krishterimit dhe në forcimin e lidhjeve shpirtërore ndërmjet popujve të Ballkanit.

Gjatë shërbesave të shenjta, të kryesuara nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Joan Pelushi , në bashkëmeshim me Mitropolitin e Elbasanit, Hirësinë e Tij Andon Merdani, morën pjesë besimtarë nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Kjo pjesëmarrje ndërkombëtare tregon mjaft qartë rëndësinë e kësaj feste si një simbol të unitetit dhe paqes ndërmjet popujve të ndryshëm.

 

Padre Arsenio, një prift arbëresh ortodoks nga Kalabria, shprehu emocionet e tij për pjesëmarrjen në këtë festë, duke theksuar se “kjo festë është e rëndësishme sepse bashkon shumë etni, shumë popuj ortodoksë dhe kjo është pikërisht ajo që bëjnë shenjtorët: bashkojnë popujt në momente të vështira.” Po ashtu, Padre Giovanni Capparelli, i pranishëm për herë të parë në Shqipëri, shprehu mahnitjen e tij për mikpritjen dhe theksoi se “këtu gjetëm vëllezërit e gjakut tonë dhe u bashkuam.

”Shën Joan Vladimiri, i lindur në fshatin Vladimir të Krajës në Malin e Zi, është një nga figurat më të nderuara të besimit ortodoks në Shqipëri. Sipas gojëdhënave, ai u martua me Kozarën, vajzën e carit bullgar Samuel, dhe pas një tradhtie, u ekzekutua. Trupi i tij u soll në Shijon, ku ndodhet Manastiri i Shën Joan Vladimirit, një qendër e rëndësishme e kultit ortodoks.
Eshtrat e tij janë ruajtur dhe nderuar nga besimtarët, duke tërhequr pelegrinë nga e gjithë bota.  Dita e Shën Joan Vladimirit është një ngjarje që thekson rëndësinë e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërmjet popujve të ndryshëm, duke u bërë një shembull i gjallë i unitetit dhe dashurisë njerëzore.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×