I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka vazhduar dëshminë e tij para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), duke zbardhur detaje të reja mbi ekzekutimin e Albi Bashaliut.
Ai ka treguar sesi u organizua dhe u krye kjo vrasje. Sipas tij, vrasja u bë edhe si “nder” për Lorenc Lalën, me pëlqimin e Laert Haxhiut dhe për hakmarrje ndaj rivalëve.
Dëshmia e Artan Tafanit:
“Unë ndenja me Laertin pasi më kërkonte policia. Morëm një shtëpi me qira në Astir, në emër të një shoqeje të dashurës së Laertit. Pas vrasjes së Elton Mermalit, kemi bërë edhe vrasjen e Albi Bashaliut,” rrëfeu Tafani.
Ai vazhdoi: “Kjo vrasje sipas tyre do bëhej për nder të Lorenc Lalës. Ne ishim dakord që nëse ai ishte dakord, atëherë do bëhej (tha Laerti). Vrasja do bëhej në Peqin dhe kishte si qëllim të merrte hak për djemtë e tij.”
Tafani sqaroi edhe detaje të ‘operacionit’: “Viktima ishte në një makinë që shiste pula zogj. Mora një makinë me qira në rrugën e Elbasanit dhe shkova në Gjoçaj të Peqinit për të takuar të zotin e hallit, një djalë që e mora në Rrogozhinë. Ai do tregonte ku kishte shtëpinë Albi Bashaliu dhe ku pinte kafenë. Këtij djali i kishin vrarë të atin.”