Kodrat e fshatit Biçukas në bashkinë e Divjakës, bartin në vetvete thesare arkeologjike të cilat tregojnë qytetërimin e hershëm të kësaj zone. Prej disa ditësh instituti kombëtar i trashëgimisë kulturore ka ngritur një ekspeditë për gërmime në zonën e kishës së Shën Gjergjit në një kodër dominuese jo vetëm për zonën e Divjakës por edhe Kavajës përtej Shkumbinit.
Nga gërmimet e kryera janë gjetur objekte arkeologjike siç janë muret rrethuese të një kishe ku në brendësi të saj janë gjetur monedha të ndryshme, një varr dhe kollona të ndërtimeve të hershme. Sipas zotit Mateo Profka specialist në institutin kombëtar të trashëgimisë kulturore, objektet e zbuluara si kisha monedhat apo edhe elementë të tjerë do t’i nënshtrohen studimeve dhe analizave të specializuara që do të hedhin dritë për hershmërinë e këtij qytetërimi, i cili sipas të dhënave paraprake i përket periudhës ilire.
Në muzeun historik të qytetit të Lushnjes, një ndër pavijonet më të rëndësishëm të tij, është ai ku janë ekspozuar objekte arkeologjike të gjetura në periudha të ndryshme ku nga më të rëndësishmet janë ato të Biçukasit të cilat përbëjnë 1/4 e muzeut.
Arkeologu doktor i shkencave Niko Ferro jep detaje rreth objekteve që ndodhen në këtë muze të gjetura në Biçukas, si një ndër zonat me potencial të lartë arkeologjik, të cilat përkojnë edhe me zona të afërta si qyteti i Arnisës në Babunjë ku është zbuluar dhe kalorësi apo kalorësja.
Ferro i bën thirrje institucioneve përkatëse që të kthejnë vëmendjen nga këto zbulime pasi kanë potencial të madh për turizmin. Sipas ferros duhet të fillojnë gërmime edhe për vendin ku mendohet të ketë qenë i banuar disa dhjetëra metra në afërsi të Kishës së Shën Gjergjit, ku po gërmohet aktualisht.