Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, Manastirliu: Programi “Toka në shkollë”, po ndryshon mënyrën sesi nxënësit mësojnë të kujdesen për natyrën dhe mjedisin

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi shkollën 9-vjeçare “Kiço Blushi”, një nga 845 shkollat pjesë e programit “Toka në shkolla”, që synon edukimin e të rinjve për kujdesin ndaj natyrës dhe jetesën e qëndrueshme.
Oborri i gjelbëruar i shkollës, i mbjellë me dru frutorë dhe perime të stinës nga vetë nxënësit, është kthyer në një laborator natyror, ku mësimi teorik i lëndëve si biologjia, kimia, etj, përforcohet përmes përvojës praktike.

“Nxënësit kanë arritur ta kthejnë oborrin e shkollës në një kopësht ku mësojnë për kujdesin ndaj mjedisit, por edhe lidhen më afër me tokën dhe produktet që ajo jep. Unë shoh që nxënësit janë shumë të angazhuar në kujdesin për to, dhe kjo është sigurisht falë jush, falë mësuesve. Duke kultivuar fruta dhe perime, duke u kujdesur për lulet, ata e shtojnë dashurinë për mjedisin dhe natyrën. Por nga ana tjetër, ky është edhe një laborator që shërben për lëndët që ju mësoni, biologjinë, kiminë etj, dhe jam shumë e bindur që shumë prej lëndëve dhe pjesës praktike mund të zhvillohen në ambient të jashtëm, si ky laborator që keni krijuar këtu,” u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Në këtë shkollë, nxënësit angazhohen jo vetëm në mirëmbajtjen e kopshtit por edhe në realizimin e projekteve mbi riciklimin,e plastikës dhe ruajtjes së mjedisit.
“Në këtë ditë që është Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, ne jemi të gjithë të sensibilizuar përmes projekteve në shkollat tona, për të dhënë mesazhe, për të informuar dhe sensibilizuar, që nga nxënësit deri te të rriturit, familjet, prindërit, për kujdesin ndaj mjedisit, për mbrojtjen e natyrës dhe për të rritur njohuritë dhe aftësitë tona për çështje që lidhen me riciklimin. Këtu pashë që projektet e riciklimit ishin vërtet shumë të larmishme, dhe jam e bindur që edhe tema e sivjetshme “Reduktimi i plastikës dhe mospërdorimi i saj” është vendosur në plan të parë. Shumë prej nxënësve këtu dhanë jo vetëm mesazhe, por edhe leksione mbi mënyrën si mund të riciklojmë materialet plastike, duke i shërbyer jo vetëm natyrës, por edhe shkollës dhe procesit mësimor.” – tha Ministrja Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me nxënësit.
Ministrja Manastirliu tha se programi “Toka në shkolla” do të vijojë të zgjerohet edhe në shumë shkolla të tjera në vend.
“Toka ime në shkollë do të vazhdojë si projekt dhe do të shtrihet në shkolla të tjera sepse është një model shumë i mirë që lidh nxënësit me natyrën, me kujdesin ndaj saj, dhe jep më shumë informacion mbi proceset natyrore, duke i ndihmuar të kenë njohuri më praktike për ato që mësojnë në libra.”, theksoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×