
Kylie Jenner ndau në Tik-Tok detajet e ndërhyrjes së saj më të fundit në gjoks: 445 cc, profil i moderuar, gjysma nën muskul, silikon, kirurgu Garth Fisher. Dhe rrjeti shpërtheu. Komente, video reagimesh nga kirurgë plastikë, analistë estetikash, dhe me dhjetëra vajza që tashmë futen në konsultë mjekësore duke kërkuar të njëjtën “porosi”.
Duket si diçka e thjeshtë, apo jo? Si një recetë për kek që e lexon në Tik-Tok. Por realiteti është shumë më kompleks dhe shumë më i rrezikshëm.
Kirurgët janë alarmuar. Jo përse Kylie ndau detajet e saj. Por për mënyrën si u trajtua një procedurë kaq serioze; si të ishte një listë pazari: cc, profil, pozicion, silikon. Ka një arsye pse çdo trup është unik dhe çdo ndërhyrje duhet të jetë e personalizuar. Nuk ka asgjë “standard” në kirurgjinë plastike. Nuk ka “i dua si të Kylie-t”. Pikërisht kjo është ajo që shumë vajza po harrojnë.
445 cc është një implant i madh. Shumë më i madh sesa shumica e trupave mund ta përballojnë natyrshëm. Në trupin e Kylie-t, ndoshta nuk duken aq masive, për shkak të përmasave të tjera që ajo ka ndryshuar, përfshirë (siç dyshohet gjerësisht) një Brazilian Butt Lift. Pa këto, gjoksi i saj do të dukej shumë më i madh se ç’është. Trupi i saj është një balancë e punuar me kujdes. Po trupi yt?
Ndërhyrjet e mëdha nuk janë vetëm çështje estetike. Ato sjellin rreziqe për shëndetin: dhimbje në qafë e shpatulla, dëmtime të nervave, deformim të indeve të gjirit, zhvendosje të implantit apo ngurtësim të tyre. Disa gra në të 40-at, vijnë tek kirurgët për t’i hequr implantet pikërisht për shkak të dhimbjeve që kanë pasur për vite me radhë.
Ka edhe një tjetër problem që pak përmendet: veshjet. Me këto përmasa, është shumë e vështirë të gjesh rroba që të rrinë mirë. Asgjë “off the rack” nuk do të përshtatet. Çdo gjë duhet të jetë elastike, shumë e ngushtë pas trupit, ose e qepur me masë. Ndryshe, do të jesh gjithnjë në luftë me dollapin. Për shumë vajza që nuk kanë stilist personal apo buxhet Kardashian, ky është kufizim.
Dikur, vajzat sillnin tek kirurgët fotografi të Pamela Anderson. Pastaj ishte radha e Kim Kardashian. Tani është Kylie. Por çfarë kanë të përbashkët këto gra? Të gjitha kanë trupa që janë modeluar ndër vite me procedura të shumta. Janë jo vetëm të paarritshme përmes dietave dhe palestrës, por edhe të rrezikshme nëse imitohen verbërisht.
Kirurgët nuk janë kundër ndryshimit. Përkundrazi. Janë kundër kopjimit të verbër. Sepse çdo trup është ndryshe. Ka trupa që kërkojnë më shumë projeksion, të tjerë që kanë lëkurë më të lirshme, ka gra që kanë bërë ndërhyrje më parë e të tjera që janë në fillim. Dhe ky ndryshim i vogël në anatomi bën një ndryshim të madh në rezultat.
Në fund të ditës, ajo që ka rëndësi nuk është të dukesh si dikush tjetër, por të dukesh si versioni më i mirë i vetes tënde.
Kirurgjia plastike nuk është trend TikTok-u. Është një vendim serioz, i shtrenjtë dhe që ka pasoja. Vendosja e një objekti të huaj në trup sjell jo vetëm pamje të re, por edhe përgjegjësi: mirëmbajtje, ndjekje, ndërhyrje të ardhshme. Është diçka që duhet menduar thellë, jo kërkuar si porosi fast food-i.
Mesazhi nuk është “mos e bëj”. Është “dije çfarë po bën dhe pse po e bën”. Mos i jep kirurgut një foto dhe prit që të të kthejë një trup që s’të përket. Fillo duke pyetur: Çfarë dua unë për veten time? Çfarë më shkon mua? Çfarë mund të përballojë trupi im?
Kylie është Kylie. Ti je ti. Dhe kjo është mëse e mjaftueshme!