Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Source”, që ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 500 mijë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Në qendër të hetimeve është shtetasi B. Ll., i dënuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me llamba. Sekuestroja përfshin prona në Kamzë, konkretisht:
-Një objekt banimi;
-Dy automjete (“Jeep” dhe “Opel Corsa”);
-Një biznes privat me aktivitet në fushën e tregtimit dhe riparimit të automjeteve.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Hetimet vijojnë për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se janë krijuar përmes veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi dhe rrjetit të tij familjar.
Materialet janë referuar tashmë Prokurorisë për vijimin e procedurave ligjore.