
Skandali rreth reperit të njohur Sean “Diddy” Combs thellohet, teksa në gjykatë po publikohen detaje tronditëse për një ngjarje të ndodhur në vitin 2016 në Hotelin “Intercontinental” të Los Angeles.
Një ish-roje sigurie në hotel, Eddy Garcia, dëshmoi se ishte paguar 100 mijë dollarë në para cash nga vetë Diddy, vetëm për të fshehur një video sigurie ku reperi shihet duke ushtruar dhunë ndaj partneres së tij të atëhershme, këngëtares Cassie Ventura. Videoja në fjalë, tashmë provë kyçe në gjyqin që po zhvillohet, u transmetua gjatë seancës së fundit në sallën e gjyqit.
Garcia tregoi se ishte kontaktuar fillimisht nga ndihmësja e Diddy-t, Kristina Khorram, e cila donte të shihte menjëherë pamjet, por ai kishte refuzuar pa një urdhër zyrtar. Më pas, vetë Combs e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar që videoja të mos dilte në dritë, duke i thënë se “kishte pirë shumë dhe e dinte si shkonin gjërat me gratë”. Reperi i frikësuar i kishte kërkuar ndihmë duke i thënë Garcias se kjo mund t’i shkatërronte karrierën dhe se ai ishte “engjëlli i tij”.
Në seancë dëshmoi edhe vetë Cassie, e cila rrëfeu për dhunën fizike që kishte përjetuar në korridoret e hotelit, ndërsa përpiqej të largohej nga një nga “festat freak-off”, të cilat ajo i përshkroi si evente me abuzime seksuale, drogim dhe incizime të fshehta. Sipas saj, Diddy e kishte ndjekur, e kishte rrëzuar dhe goditur me shkelma, përpara se të përpiqej ta tërhiqte sërish në dhomë.
Avokatët e Diddy-t pranuan se ai është përgjegjës për dhunën që shihet në video, por mohojnë akuzat për trafikim njerëzor, zhvatje dhe lidhje me prostitucionin. Aktualisht, Combs ndodhet pas hekurave në pritje të një vendimi gjyqësor që mund të përcaktojë fundin e një karriere dekadash në industrinë muzikore.