
Një lajm që po qarkullon së fundmi në rrjete sociale dhe disa media të huaja ka ngritur dyshime mbi një arrestim të mundshëm të tiktokerit të famshëm Khaby Lame në Shtetet e Bashkuara, për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Pretendimi vjen nga Bo Loudon, një influencer amerikan me bindje konservatore, i njohur për lidhjet e tij me Barron Trump, djali i ish-presidentit Donald Trump. Në një postim të tij në rrjet, Loudon shprehet se Lame është ndaluar në Las Vegas dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e agjencisë federale ICE (Immigration and Customs Enforcement), në qendrën e paraburgimit Henderson në Nevada.
Sipas Loudon, 25-vjeçari përshkruhet si një figurë me “prirje të majta ekstreme” në TikTok, dhe ai vetë sugjeron se ndalimi mund të lidhet me shkelje të vizave ose probleme fiskale.
Megjithatë, nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar për arrestimin. Emri i Khaby Lame – me emër të plotë Khabane Serigne Lame – nuk figuron në databazën publike të ICE, e cila përfshin të gjithë individët që ndodhen nën kujdesin e kësaj agjencie.
Ish-menaxheri i tij, Nicola Paparusso, ka deklaruar për mediat se marrëdhënia e tyre profesionale është ndërprerë prej disa muajsh, por shton:
“Khaby është një djalë i mirë. Nëse vërtet është ndaluar, ndoshta bëhet fjalë për ndonjë çështje administrative, si mungesë e vizës së duhur për të punuar në SHBA apo ndonjë problem me deklarimin e të ardhurave.”
Për momentin, mbetet e paqartë nëse lajmi është i vërtetë apo një spekulim që po përhapet në rrjet. Deri në një reagim zyrtar nga vetë Khaby ose ekipi i tij, ky informacion duhet trajtuar me rezervë.