Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në rrjetet e tij sociale pamje nga stërvitja e madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender 25”, duke vënë në dukje rëndësinë dhe përmasat e këtij operacioni të përbashkët ushtarak.
Përmes një postimi të shoqëruar me video të Forcave të Armatosura shqiptare në veprim, Rama shkruan:
“MIRËMËNGJES dhe me Forcat e Armatosura që vijojnë stërvitjen “Defender 25”, stërvitja ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s ju uroj një fundjavë të mbarë.”
Stërvitja “Defender 25” përfshin një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe logjistike, duke synuar përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e gatishmërisë dhe forcimin e sigurisë kolektive në rajon. Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, është pjesë aktive e kësaj stërvitjeje, duke demonstruar angazhimin e saj në mbrojtjen dhe sigurinë euroatlantike.
“Defender 25” është pjesë e një serie stërvitjesh të përvitshme që nxisin ndërveprimin mes ushtrive të vendeve partnere, duke testuar kapacitetet e reagimit të shpejtë ndaj çdo lloj kërcënimi në skenarin aktual gjeopolitik.