Nga Agron Gjekmarkaj
Prej muajsh ka rënë myshku mureve të “kronikës” e ndryshku mbi penën e saj! Një ëndërr mu faneps kësaj nate e cila me yshti për të filluar lërimin e arave aty brenda! Çudi e madhe! Ngado shihja parulla të shkruara në “trupin në pallat, kokën në Paskuqan ike, ike Pandi o vigan”! Si nga tavani zbriste një zukamë “të grinë Mimi të grinë ti re për Shqipërinë, të prenë Mimi të prenë të shtrinë për atdhenë”! Nga dritarja një uturimë e mbytur sillte kumtin “Ermo moj nafake shahit re në Laprakë”!
Nga dyshemeja e cila çahej vërtiteshin sokëllima “Toni o Pastor nuk tund më këmbor”! Në ekranin e kompjuterit me dilte teksti “Gjylamet hë medet ç’qe për ne ky kiamet, ah ku, ku, gazep, gazep”!
Djersët bënin të veten, etje e rënkim!
Tao pasi kishte pushuar së rëni defit, me nje cingare mbi vesh qylaf Librazhdi mbi kokë e takëme popullore ngjeshur si meit shikonte Gjeneral Kollçakun dhe ja priste “ngrehu Kollçak hidh litarë- ay ja kthente dale Babo të dredh cigarë, se s’jam çanaku me dhallë. Po jam Gjeneral me pallë” ay!
Si përshpirtje vinte një fllad “ah Etildë, Etildë e gjorë pa ty Kuvendi s’ka kurorë”.
O Nënë, o Nënë nuk kishtë burrë dheu ta bënte gjumin terbiet!
Pas ecajakeve të gjata zura përsëri krevatin dhe dremita! Po qe natë e keqe! Shakatë e pavetëdijes janë të pafundme!
Në krye të korridorit ku kemi zyrat një skortë nga motrani e shoqeni u duken. Bela me gjergjef, Mamica me petka arbëreshësh, Ogi allafrenga dorë për dorë dhe Bora me tabaka mbi të cilen gjindej një pergamenë me disa lutje!
Si më konfidenciale Bora tha kemi shkruar një kërkesë kryesore e ndonjë më anësore!
E para tani e tutje Babon ta thërrasim Baba Mbret e mos e lodhni mos e plakni se boll daramete ka për të shpënë vatanë në Europë, e dyta -të bësh kërkesë publike te Ministria e Ogit që fjalimet e Petro Koçit të futen në tekste shkollore si kulme oratorie e veneracioni, tre -Blendi Klosi të shpallet veteran i fitoreve socialiste, kater -Damos t’i caktohet detyra që pat Laert Duro për të mbledhur lotët e Tezes dhe të tjerëve herë pas here me kushtin që të qajë dhe vete sa here Babua të flasë, pesë-Ditmar Bushatit t’i hiqet mundësia për autokritike të paktën për 7-8 vjet, gjashtë-Ismet Beqirit ti bëhet një bust brenda në Kuvend, shtatë-Ed Shalsi të emërohet kryeakçi i mazhorancës, tetë – Tezja dhe Termeja të këndojnë, t’ja marrin vënçe herë pas here gjatë seancave që të mbytet monotonia, nëntë- Dilo Nasufi të rruajë mjekrën në shënjë zie që iku Arben Pëllumbi dhe e fundit dhjetë -gjatë verës na mbaj të informuar për qeverinë e re kush ikën e kush vjen dhe çdo të bëhet me lezetin e hajrin e Tabir Sarait Kosten e Gramozit Linditës dhe 35% të Mamicës?
Ashtu përçart me ngjau se thashë “prishur mos qoftë” dhe Bora po ngjitej lart në qiell si shenjtore nën admirimin e Belës dhe Mamicës!
Niko Nikoqiri shfaqej prej dylli me tabiate lugati që here ngurosej e herë shkrihej! Atentatin e fundit ndaj gjumit që ja pat zili atij të Makbethit ma bëri refreni që një zot e di nga vinte “make Jorushi great again” !
U zgjova jerm dola një shëtitje dhe ç’të shoh Ilir Babaramon që as jepte as merrte! Ç’ke vëlla e pyes? Lere, lere po tani ç’të bëj se kam qenë kritik me të madhin! I sugjerova në katër, pesë daljet e para televizive mos thuaj asnjë fjalë, rrëzoju barkas, vetëm qaj, qaj, qaj se e qara merret për mirë, pastaj shih e bëj me një sërë qaramanlleqësh… nuk foli iku më i hutuar nga ç’dukej!
()