Deputeti i Partisë Demokratike, z. Klevis Balliu, zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë në Berlin, ku u prit nga përfaqësues të Bundestagut gjerman dhe të Parlamentit Europian, si edhe nga figura me peshë të skenës politike gjermane dhe ndërkombëtare.
Gjatë vizitës së tij zyrtare, z. Balliu u takua me z. Tilo Braune, ish-Sekretar Shteti në Ministrinë Federale për Transport, Ndërtim dhe Strehim të Gjermanisë me z. George Tsereteli, ish-President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe me deputetin e respektuar të Bundestagut, z. Volkmar Klein.
Në këto takime, z. Balliu përcolli me përgjegjësi institucionale shqetësimet e opozitës lidhur me degradimin e standardeve demokratike në Shqipëri, i cili, sipas tij, është pasojë direkte e kapjes së shtetit dhe instrumentalizimit të institucioneve nga ana e Kryeministrit Edi Rama.
“Zgjedhjet vendore të 11 majit përfaqësojnë një proces tërësisht të deformuar, të cilat u përdorën si mjet për të konsoliduar pushtetin personal, në kundërshtim me parimet themelore të një sistemi demokratik funksional,” deklaroi z. Balliu.
Ai nënvizoi se integrimi europian i Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të vihet në rrezik nga interesa të ngushta politike apo nga tendenca autokratike të individëve në pushtet.
“Aspirata europiane e Shqipërisë është një projekt kombëtar që i përket qytetarëve dhe jo një privilegj i qeverisë së radhës. Asnjë farsë elektorale dhe asnjë manipulim politik nuk do të jenë në gjendje të zhbëjnë vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes europiane,” përfundoi Balliu.
Postimi i Klevis Balliut:
Ishte një nder dhe kënaqësi të takoja në Berlin personalitete të respektuara, mbështetës të palëkundur të rrugëtimit europian që Shqipëria duhet të ndjekë me përkushtim.
Shteti i së drejtës, respektimi i ligjit dhe funksionimi i shtetit mbi bazën e vlerave dhe parimeve perëndimore përbëjnë themelin e domosdoshëm mbi të cilin duhet të ndërtohet dhe konsolidohet integrimi ynë europian.
Gjatë një sërë takimesh të rëndësishme, pata privilegjin të zhvilloja biseda me z. Tilo Braune, ish-Sekretar Shteti në Ministrinë Federale për Transport, Ndërtim dhe Strehim të Gjermanisë;
Me z. George Tsereteli, ish-President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së; Si dhe me deputetin e nderuar, z. Volkmar Klein.
Gjatë këtyre takimeve, pata mundësinë t’i informoj mbi sfidat serioze me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Procesi elektoral i deformuar, i nxitur nga interesat personale të Kryeministrit Rama, ka cenuar rëndë standardet demokratike dhe stabilitetin institucional të vendit. Megjithatë, kjo farsë elektorale nuk do të jetë kurrë në gjendje të shuajë aspiratën tonë të palëkundur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
()