Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur një operacion në jug të vendit, në kulmin e sezonit turistik, për të shembur ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare.
Fadromat dhe makineritë e rënda janë parë në disa zona turistike, duke ndërhyrë në struktura që sipas autoriteteve janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Ndërhyrjet kanë shkaktuar jo pak shqetësim tek pushuesit dhe operatorët turistikë për shkak të zhurmës së fadromave dhe kaosit që shkaktojnë shembjet.
Bizneset lokale shprehin shqetësimin për dëmet ekonomike që mund të sjellë ky aksion në kulmin e sezonit, teksa shumë prej tyre kanë investuar për të mirëpritur turistët.
Ata thonë se këto ndërhyrje duhet të ishin kryer më herët, para se të niste sezoni, për të shmangur ndikimin negativ në turizëm.