Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka identifikuar një skemë mashtrimi online që kishte si objektiv vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë.
Mashtrimi kryhej përmes mesazheve telefonike ku, duke u shtirur si Posta Shqiptare, qytetarëve u dërgohej një njoftim për një “dërgesë” që nuk mund të dorëzohej pa përditësuar të dhënat personale.
Mesazhi përmbante një link të rremë, ku klikimi i tij çonte në një faqe që kërkonte të dhënat e kartës së kreditit, duke vënë në rrezik sigurinë financiare të përdoruesve.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të raportojnë çdo tentativë mashtrimi pranë strukturave të sigurisë kibernetike.
Njoftimi i AKSK:
KUJDES: Mos bini pre e mashtrimeve online!
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.
Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.
Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare.
Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta!
AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.