Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj priti sot në një takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Vasileva Kiselova.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se ato janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme në dobi të ndërsjellë dhe në interes të rajonit dhe perspektivës së tij evropiane.
“Kjo marrëdhënie bazohet në miqësinë tradicionale, si edhe në lidhjet e thella historike, kulturore dhe ndërnjerëzore që bashkojnë dy kombet tona. Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht me Bullgarinë, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Duke vënë në dukje marrëdhëniet shumë të mira politike, Presidenti Begaj theksoi nevojën për t’i zgjeruar ato edhe në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare. “Në fillim të viteve ’90 kishim një nivel më të lartë të këtyre shkëmbimeve dhe synimi ynë është të rikthehemi në atë trend pozitiv,” vijoi ai.
Presidenti falënderoi Bullgarinë mike për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. “Avancimi i mëtejshëm i Shqipërisë do të përbënte një sinjal të fortë se procesi i zgjerimit është përparësi e Bashkimit Evropian.”
“Shqipëria synon të përmbyllë negociatat me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027 dhe ka si objektiv strategjik anëtarësimin deri në vitin 2030. Për realizimin e këtij objektivi, ne besojmë në mbështetjen e Bullgarisë,” nënvizoi Presidenti.
Gjithashtu, Presidenti vlerësoi bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si dy vende anëtare të NATO-s, duke përmendur edhe prezencën e trupave shqiptare në Novo Selo si një shembull i këtij bashkëpunimi të ngushtë.
Në këtë kuadër, Presidenti theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII dhe portit të Durrësit. “Për Shqipërinë, nuk ka asnjë dyshim se Korridori VIII është një projekt strategjik për lidhjen rajonale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut. Ndërtimi i përshpejtuar i këtij korridori është një objektiv i yni,” u shpreh ai.
()