Ndeshjen kundër Serbisë e ndoqa mes tifozëve, aty ku pa diskutim emocionet kur luajnë kuqezinjtë janë më të mëdha, ndonëse më duhet ta pranoj se ishte një zgjedhje e detyruar, për shkak të refuzimit për akreditim nga Drejtoria e “PR”-së në FSHF. Ky vendim absurd (jo i pazakontë, sepse ka ndodhur më herët me kolegë si Ermal Kuka, Lirim Zalla, Ernest Koçi, etj.) u justifikua me arsyetimin se kishte fluks të madh gazetarësh të huaj apo nga mediat që kanë të drejtën e transmetimit, ndërsa arsyeja e tretë lidhej me faktin se prioritet ishin gazetarët që mbulonin në mediat e tyre Kombëtaren A. Kjo, me demek, ishte arsyeja përse unë si gazetari i vetëm sportiv i një prej tri Televizioneve Kombëtare Private në vend, nuk plotësoja kriteret për të ushtruar detyrën time si gazetar sporti i Departamentit të Informacionit në “Vizion Plus”. Ishte në fakt një “autogol” spektakolar dhe jashtë çdo logjike profesionale dhe njerëzore i përfaqësuesve të FSHF-së. Përse?
E para: sepse numërohen me dhjetëra, në mos me qindra kronikat televizive të përgatitura nga unë për Kombëtaren A dhe jo vetëm, nga koha kur e mbuloj me kohë të plotë sportin në Departamentin e Informacionit në “Vizion Plus”. Çështje tjetër pastaj nëse kam plotësuar numrin e mungesave në seancat stërvitore të Kombëtares dhe në daljet për media të lojtarëve.
E dyta: pra, të gjithë kolegët gazetarë që ishin në stadium si të akredituar ndiqkan këmbakëmbës Kombëtaren në mediat ku punojnë? (qesharake)
E treta: sa portale apo webe keni akredituar ndërkohë që keni lënë jashtë një media, e cila, për shkak se është TV Kombëtar, e ka detyrim publik t’i japë hapësirë një ngjarjeje më rëndësi kombëtare sikurse ekipi përfaqësues? Sot, për shembull(8 qershor), dini gjë ju të dashur kolegë të “PR”-së në FSHF se kush u mor me kronikat e ndeshjes Shqipëri-Serbi në Vizion Plus? (nuk besoj se keni turp edhe në këtë rast).
E katërta: sa nga të ashtuquajturit influencër, spikerë/e, gazetarë të profileve të tjera, vajza e gra që nuk bëjnë asgjë në media ( përveç se janë vajza dhe gra), lërë pastaj nëpunës publik, ishin në zonën e medias në sfidën me Serbinë?
E pesta: po nëse unë nuk ndjek dot nga afër një fushë që mbuloj me kohë të plotë si sporti, ç’më mbeti të akreditohem, ballo vjeneze, Samiti i radhës Shqipëri-BE, apo stërvitja e NATO-s në vendin tonë? (Po turp, fare nuk keni?) Kam shumë pika për të renditur në fakt, sepse kupa ishte mbushur me kohë, ndonëse kisha preferuar ta injoroja ç’po ndodhte rreth e qark. Ashtu sikurse në duelin me Andorrën në mars, kur pashë që isha i vetëm mes kolegëve në katin e fundit të medias, ndërsa në zonën e dedikuar për median në tribunë shihje me kuç e me maç nga ata që shumë pak gjëra i lidhnin me futbollin e luajtur (fyese shumë në fakt). U bënë 23 vite tashmë në media, shumë prej tyre si gazetar sporti dhe komentator, por nuk ka fyerje më të madhe teksa e sheh veten të “vraposh” në përditshmëri të mbyllësh kronikat në funksion të informimit publik, e nga ana tjetër dikush që mendon se mund përcaktoje axhendën tënde profesionale, me një vendim absurd jo vetëm që të vështirëson punën, por provon edhe të “tallet” me argumente skandaloze.
Keqardhja më e madhe është mungesa e reflektimit, dështimi me arrogancë për t’iu përgjigjur kërkesës së ligjshme, për të marrë shpjegime mbi një vendim të paprecedentë. Do të isha më i qetë, për shembull, po ta dija që vendin tim në zonën e medias ia kishin lënë ndonjë “çupe të bukur” të ekranit… më shumë sesa është një vendimmarrje që lidhet me faktin se nuk kam qenë shumë i disiplinuar në konferencat e trajnerit Silvinjo e që nuk jam pjesë e darkave dhe drekave informale me të. Gjithçka ka ndodhur, për shumëkënd mund të jetë një situatë që kalon. Mirëpo, për mua jo, nuk është kështu.
Refuzimi i akreditimit si gazetar në detyrë për “Vizion Plus” (nuk është akredituar askush tjetër nga Departamenti i Informacionit) është një cenim direkt i statusit profesional, që patjetër do të reflektojë në aspektin emocional marrëdhënien me njerëzit dhe institucionin që qeveris futbollin shqiptar, por kurrsesi nuk do të reflektohet te mbulimi i ngjarjeve në TV që lidhen me kombëtaren dhe futbollin shqiptar. Sepse njerëzit ikin e vijnë, Kombëtarja është e të gjithëve! P.S. Mirëkuptoj çdo qasje të kolegëve në lidhje me këtë qëndrim personal (jetojmë në Shqipëri). Maksimumi pres një “OK”. Për të ashtuquajturat “Shoqata” pastaj, më mirë nuk po flas fare…