Presidenti Begaj në Konferencën e Gjykatave të Larta të Evropës Lindore: Drejtësia kërkon integritet, transparencë dhe pavarësi të plotë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u zhvillua më 9 qershor 2025 në Vlorë. Konferenca u organizua nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me CEELI Institute dhe mblodhi së bashku gjyqtarë të lartë nga rajoni, përfaqësues të gjykatave të larta amerikane dhe liderë të gjykatave të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e kësaj konference si një hap i rëndësishëm për dialogun ndërgjyqësor, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit në drejtësi.

Ai nënvizoi rolin e gjyqtarëve të gjykatave të larta si garantë të drejtësisë dhe ruajtës të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve. “Ky rol kërkon profesionalizëm, integritet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike,” – u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit theksoi se drejtësia nuk duhet të jetë privilegj, por një e drejtë për të gjithë qytetarët. Ai theksoi se pavarësia e gjyqësorit është themeli i demokracisë dhe duhet të mbrohet nga çdo ndërhyrje politike apo financiare. “Pavarësi do të thotë autonomi në gjykim, jo shkëputje nga llogaridhënia,” – u shpreh ai.

Duke folur për sfidat e sistemit të drejtësisë, Presidenti Begaj përmendi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies si parime thelbësore që e bëjnë drejtësinë të besueshme dhe efikase për qytetarët. Ai vuri në dukje se përdorimi i teknologjisë duhet të ndihmojë në përmirësimin e aksesit në drejtësi, por gjithmonë duke ruajtur sigurinë institucionale dhe privatësinë e qytetarëve.

Në kontekstin e reformës në drejtësi në Shqipëri, Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e institucioneve të reja dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ai vlerësoi rezultatet e SPAK dhe GJKKO, të cilat sipas tij kanë fituar besimin më të lartë publik në vend.

Presidenti u ndal edhe te roli i gjyqësorit në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së kërkon përkushtim maksimal dhe profesionalizëm nga trupa gjyqësore. “Gjyqtari nuk është vetëm zbatues i ligjit, por një aktor aktiv në përafrimin e standardeve juridike me ato të BE-së,” – theksoi ai.

Në përfundim, Presidenti Begaj u bëri thirrje të gjithë profesionistëve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri që të vazhdojnë punën me përkushtim, integritet dhe pavarësi, në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×