
Një divorc mes Justin dhe Hailey Bieber mund të jetë jo vetëm një dramë emocionale, por edhe një përplasje e madhe financiare.
Suksesi i jashtëzakonshëm i markës kozmetike Rhode, themeluar nga Hailey Bieber, kulmoi me një marrëveshje të bujshme: kompania u shit për 1 miliard dollarë tek gjigandi i bukurisë E.L.F. Beauty. Por lajmi i mirë për Hailey-n ka ngritur shqetësime të mëdha te familjarët dhe miqtë e saj dhe arsyeja quhet Justin Bieber.
Asnjë marrëveshje paramartesore: kjo mund të kushtojë shumë
Sipas burimeve për DailyMail, çifti nuk ka nënshkruar një kontratë paramartesore, që do të përcaktonte ndarjen e pasurive në rast divorci. Kjo i hap rrugën Justin-it të kërkojë gjysmën e shumës që Hailey do të përfitojë nga shitja e kompanisë.
Avokatja e njohur e divorcit, Stephanie Blum, shpjegon se si çdo pasuri e krijuar gjatë martesës konsiderohet pronë e përbashkët, në mungesë të një kontrate paramartesore. Pra, sipas ligjit, një gjykatë mund të urdhërojë ndarjen e fitimeve nga Rhode në mënyrë të barabartë mes tyre.
Një burim pranë modeles zbulon se miqtë dhe familja janë të frikësuar se Hailey do të përfshihet në problemet financiare të Justin-it, për të cilat thuhet se përfshijnë miliona borxhe. “Ajo është shumë e përkushtuar ndaj tij dhe e gatshme të ndihmojë. Por njerëzit pranë saj duan që të mbrojë edhe veten,” thuhet në raportim.
Nga ana tjetër, Justin aktualisht nuk është aktiv profesionalisht. Pas anulimit të turneut “Justice” në vitin 2022 për shkak të sindromës Ramsay Hunt, e cila i shkaktoi paralizë të pjesshme në fytyrë, këngëtari ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në shtëpi.
Dinamika e çiftit ka ndryshuar ndjeshëm. Justin, i cili më parë konsiderohej më i pasuri në marrëdhënie, thuhet se ka një pasuri rreth 200 milionë dollarë, ndërsa marrëveshja e Hailey-t e katapulton atë në një tjetër nivel financiar.
Ekspertët theksojnë: “Kur nuk ka marrëveshje paramartesore, bashkëshorti me më pak të ardhura është zakonisht në avantazh në rast divorci.” Në këtë rast, është e mundur që Hailey të jetë në pozicionin më të rrezikuar, pikërisht për shkak të suksesit të saj të fundit.
Kohët e fundit, duket se në martesën Bieber nuk mungojnë tensionet, por vetëm koha do të tregojë nëse Rhode do të jetë bekimi më i madh apo edhe burimi i përçarjes.