A u vra Elis Rroshkodoli për shkak të përplasjes së grupeve në trafikun e kokainës? “Në Shënjestër” zbulon rolin e Voltan Xhanit

Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka publikuar detaje nga dosja hetimore ku zbulohet roli i Voltan Xhanit, një nga djemtë e Petrit Xhani, personi me të cilin kishte konflikt të vjetër biznesmeni i ekzekutuar në janar të këtij viti Bujar Nasufi.

Sipas të dhënave të grupit hetimor, Voltan Xhani është një nga personat e dyshuar se ka siguruar kushtet për të ekzekutuar në Shkodër, Elis Rroshkodolin, hetime të cilat sot i ka marrë në duar SPAK.

Ku menjehërë pasi Forcat Operacionale arrestuan në Gjirin e Lalzit, Voltan Xhanin, Prokuroria Shkodër, ia kaloi çështjen Prokurorisë së Posaçme pasi ka zbuluar se atentati është organizuar dhe kryer nga një grup i strukturuar kriminal.

I arrestuari i parë për këtë ngjarje gushtin e vitit të kaluar ishte shtetasi Xhulio Malo, nga Gjirokastra, i cili u ndalua vetëm një javë pas atentatit që i mori jetën Rroshkodolit.

Por si u vra Elis Rroshkodoli dhe cili është roli i Voltan Xhanit në ekzekutimin e tij?

Si arriti policia të shkojë në garazhin e ndodhur në një kat nëntokë në zonën e Mulletit, aty ku grupi kriminal që qëlloi mbi 35 vjeçarin fshihte makinat e trafikuara nga vendet e Bashkimit Evropian, me të cilat më pas kryheshin vrasjet.

Elis Rroshkodoli u vra paraditen e datës 30 Gusht 2024, pikërisht në verandën e këtij lokali në lagjen ‘Ahmet Haxhia’ në Shkodër.

Këtu ku persona të maskuar iu afruan me makinë dhe qëlluan me breshëri plumbash drejt tij duke e lënë të vdekur në vend.

Policia njofton se ka arrestuar shtetasin 26 vjeçar, Xhulio Malo, pasi akuzohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e shtetasit Elis Rroshkodoli në Shkodër më datë 30 Gusht 2024. Ndërsa janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij të identifikuar, të dyshuar si vrasës me pagesë. Në kërkim janë shtetasit J. Xh. 31 vjeç, V. Xh. 38 vjeç dhe D. M. 42 vjeç.

Pikërisht një nga personat e shpallur atë kohë në kërkim siç shikohet edhe nga komunikata paraprake për shtyp e Policisë së Shtetit ishte edhe 38 vjeçari Voltan Xhani si dhe vëllai i tij 31 vjeçari, Jugert Xhani.

Voltan Xhani dyshohej si një nga personat që kishte krijuar kushtet për të kryer vrasjen e 35 vjeçarit, Elis Rroshkodoli kjo pasi në servisin e tij u gjet makina e përdorur në krim.

Aty ku autorët dyshohet se çmontuan makinën Benz C Class ngjyrë gri që u përdor në krim, në përpjekje për të humbur gjurmët. Ku tashmë grupi hetues kishte dyshime të arsyeshme se Voltan Xhani ishte organizatori dhe financuesi i atentatit ndaj Rroshkodolit.

Por ajo që mbetej e paqartë ishte arsyeja që kishte çuar në urdhërin për eleminimin e të riut në Shkodër i cili u ekzekutua me 24 plumba të derdhur ndaj tij.

Rroshkodoli thuhej se njihej edhe për miqësinë me grupin e Bajrave në Shkodër. Edhe ky një grup që ka marrë goditje të forta gjatë vitit të fundit nga SPAK.

Dyshimet më të forta janë se vrasja e Elis Rroshkodolit në Shkodër më datë 30 Gusht 2024 ka ardhur për shkak të përplasjeve të grupeve të trafikut të kokainës.

Kjo pasi si Voltan Xhani ashtu dhe viktima Elis Rroshkodoli ishin të skeduar në trafikun e drogërave të forta. Ndërkohë interesant është edhe profili i 26 vjeçarit Xhulio Malo, personi i parë i arrestuar për ekzekutimin e Elis Rroshkodolit, i cili rezulton i përfshirë në aktivitet kriminal që në moshë të vogël.

Që në moshën 17 vjeç, ai del se frekuentonte grupin e Gate Mahmutaj në Lazarat apo ndryshe grupin e zjarrit, që në vitin 2015 vranë efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha.

Xhulio Mala u dënua në vitin 2018 nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda me 10 vite burgim. Por u lirua në 2020 pasi përfitoi nga amnistia. Dhe që mendohet se është pjesë e një grupi të gjerë vrasësish me pagesë. Ku ajo që mendohet se çoi në zbulimin e shpejtë të vrasësve dhe më pas porositësve thuhet se ishin dëshmitë e disa personave si dhe kamerat e sigurisë që dokumentuan atentatin në rrugën ‘Isuf Sokoli’ në Shkodër, ku u ekzekutua Elis Rroshkodoli.

Aty ku më pas gjurmimi i mëtejshëm çoi në zbulimin e një garazhi në Mullet, ku u fsheh edhe makina e krimit. Por edhe të tjera që shërbenin për vrasje të tilla gjatë kryerjes së krimeve.

Ndërkohë që nga dëshmitë e mbledhura në vendngjarje, grupi hetues arriti të ndërtojë edhe dinamikën se si autorët e maskuar kishin shkuar me një automjet Mercedes Benz ngjyrë gri në lokalin ku ndodhej i ulur Elis Rroshkodoli.

Dhe pasi kanë ndalur automjetin para lokalit, njëri prej tyre ka dalë nga makina dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj 35 vjeçarit, që mori 14 plumba në trup.

Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit Elis Rroshkodoli .Por edhe viktima Elis Rroshkodoli nuk ishte i panjohur për policinë. Sidomos për blutë në qytetin e Shkodrës.

Kjo pasi ai kishte precedentë shumtë kriminalë si brenda dhe jashtë vendit.  Ku një nga ngjarjet që i atribuohet atij është edhe plagosja me thikë e një të riu rumun në vitin 2023.

Ngjarje pas të cilës u arratis drejt Turqisë.

Ndërsa në moshën 24 vjeçare, në vitin 2014, ai rezultonte të ishte një nga të arrestuarit bashkë me një grup tjetër shqiptarësh, në lidhje me një grabitje në Belgjikë.

Elis Rroshkodoli që kishte mbetur jetim që në moshë të vogël pasi në vitin 1997 i kishin vrarë të atin. Hetimet për këtë atentat po kryhen tashmë nga Prokuroria e Posaçme e cila duhet të japë përgjigje, se cili është grupi kriminal që organizoi dhe realizoi vrasjen e Rroshkodolit?

A u vra ai për shkak të përplasjes së grupeve në trafikun e kokainës?  A është Voltan Xhani kreu i grupit?  A ka ndonjë rol Flobenc Meçja apo siç njihet ndryshe Col Shkodrani në këtë ngjarje? A ka kryer ky grup krime të tjera të rënda?

 

 

 

 

 

 

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×