Asambleja Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP, Hasani: E shohim këtë organizëm mekanizëm rajonal gjithëpërfshirës ndaj integrimit evropian

Tiranë, 10 Qershor 2025 – Në kuadër të Presidencës të Shqipërisë të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën Qershor 2024 – Korrik 2025, është mbajtur sot edhe seanca plenare e radhës e Asamblesë Parlamentare të këtij forumi rajonal.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani e ka vlerësuar si të rëndësishëm dialogun parlamentar në ndërtimin e një Evrope Juglindore më bashkëpunuese e më të qëndrueshme. Ai u shpreh se: “Duke parë përpara, duhet të njohim rolin thelbësor që luajnë parlamentet kombëtare në këtë rrugëtim. Përmes veprimit legjislativ, mbikëqyrjes dhe angazhimit publik, ju ndihmoni që perspektiva evropiane të mos mbetet vetëm një aspiratë diplomatike, por të bëhet një zgjedhje konkrete dhe e përqafuar nga shoqëritë tona.”

Hasani nënvizoi gjithashtu se gjatë këtij viti, Shqipëria ka pasur nderin të mbajë pesë kryesi në formate kyçe rajonale — përfshirë Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, Kartën e Adriatikut, Nismën e Evropës Qendrore, Nismën për Azil, Migracion dhe Refugjatë, dhe sigurisht, SEECP-në. “Kjo konvergjencë unike na ka mundësuar të sjellim koherencë, energji dhe fokus evropian në agjendën rajonale. Me këtë vizion kemi zgjedhur edhe moton e Kryesimit të Tiranës: “Të Formësojmë të Ardhmen Tonë Evropiane.” – deklaroi ai.

Ndër të tjera, Ministri Hasani vlerësoi edhe rolin që SEECP ka si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Ai shtoi se “Shqipëria e sheh SEECP-në si një platformë për nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e përkushtimit ndaj paqes, mirëqenies dhe integrimit evropian. Ky është një proces gjithëpërfshirës që na bashkon rreth një qëllimi të përbashkët: ankorimin e rajonit tonë në familjen evropiane.”

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit. Ndërkohë, takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së do të mbahet më 16 Qershor 2025 në Tiranë.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×