“Në Shënjestër”, emisioni investigativ i gazetares Klodiana Lala, në Neës24, tregoi këtë të martë se si nga dëshmia e bashkëshortes së biznesmenit të vrarë Bujar Nasufi, hetuesit kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Pas provës gjenetike, grupi hetues paralelisht u ndal edhe te konfliktet e mundshme që viktima mund të kishte pasur në jetën e tij të përditshme apo në aktivitetin si biznesmen.
Gjatë hetimeve, bashkëshortja e viktimës tregoi për një konflikt të vjetër familjar që kishte nisur prej vitesh mes vjehrrit të saj dhe një personi të identifikuar si Petrit Xhani, mbi një pronë.
Edhe pse dukej i mbyllur, ky konflikt tani po konsiderohet si një nga pistat kryesore për zbardhjen e ngjarjes.
“Vjehrri im Jonuz Nasufi ka pasur një konflikt të vjetër me shtetasin Petrit Xhani. Përplasje që ka disa vite që ka ndodhur. Që lidhet me një shtëpi që vjehrri im i ka shitur vite më parë Petrit Xhanit. Shtëpi e cila është prishur nga shteti.
Por ndërsa vjehrri im i ka dhënë Petrit Xhanit lekët e kompensimit të shtëpisë, nuk i dha atij ato të kompensimit të tokës. Bëhet fjalë për 40 milionë lekë. Shtëpia ka qenë në Selitë dhe është shkatërruar për shkak të projektit të Unazës së Madhe”, thuhet në dosjen hetimore, referuar dëshmisë së gruas së biznesmenit Bujar Nasufi.
Sipas bashkëshortes së viktimës Bujar Nasufi, do të ishte pikërisht kjo mosmarrëveshje që do të çonte edhe në një përplasje fizike, midis familjes Nasufi dhe asaj Xhani me origjinë nga Përmeti.
Debat ku në mes do të futeshin edhe djemtë e familjeve respektive, por që sipas bashkëshortes, konflikti nuk ishte referuar në polici. Dhe kësisoj kishte mbetur midis tyre, pa e ditur se një ditë edhe mund të përshkallëzohej deri edhe në ngritjen e armëve kundër njëri-tjetrit.
“Në lidhje me konfliktin për banesën që u prish, debati u përshkallëzua deri në përfshirjen e bashkëshortit tim.
Ajo që dua të them është se në atë kohë Petrit Xhani dhe djali i tij Jugert Xhani patën konflikt dhe debat edhe me Bujar Nasufin. Por në atë kohën ne e pamë të arsyeshme që ngjarjen të mos e referonim në polici”, mësohet të ketë thënë Mirjeta në hetuesi.
Do të ishte pikërisht ky rrëfim që do të çonte grupin hetues edhe në një investigim lidhur mbi profilin e familjes Xhani. Nëse pikërisht pas kësaj vrasje fshihej një nga familjarët e Petrit Xhanit, që në këtë kohë del se kishte ndërruar jetë. Dhe llogaritë e tij po i mbanin të tjerë.
Në këtë rast djemtë, të cilët jetonin në një vilë luksoze në periferi të Tiranës, bashkë me nënën e tyre.
Pertrit Xhani që kishte lënë pas katër djem, njëri prej të cilëve, një personazh problematik, i njohur për lidhjet me krimin dhe ngjarje kriminale. Prokuroria ka identifikuar se Petrit Xhani ka 4 djem, Leonardin, Aleksandrin, Voltanin dhe Jugertin.
Në bazë të verifikimeve të kryera nga grupi hetues lidhur mbi personat e dyshuar të cilët mund të kenë interes lidhur mbi ekzekutimin e biznesmenit Bujar Nasufi, mbrëmjen e 12 Janarit 2025 në Tiranë, rezulton se shtetasi Petrit Xhani që ka ndërruar jetë, por që ka pasur një konflikt të hapur me babain e viktimës, ka katër djem, Leonardin, Aleksandrin, Voltanin dhe Jugertin.
Nga të cilët Voltani dhe Jugerti jetojnë në një vilë luksoze në zonën periferike të Mjull Bathore në kryeqytet. Por që të dy kanë edhe rezidencë jashtë vendit.
Por edhe pse ishin të dyshuarit kryesorë për ekzekutimin e biznesmenit Bujar Nasufi, grupi hetues zgjodhi që të mos nxitohej në ndalimin e tyre por të priste rezultatet e materialeve gjenetike të gjetura në dorezën e motorit që u përdor në krim, për të bërë krahasimin e tyre me individë të ndryshëm me rekorde kriminale.
Ndërkohë që paralelisht me vëllezërit Xhani, në përgjim u vendos edhe një lidhje e tyre shoqërore.
Personi që mund të çonte policinë te vendi ku qëndronin dy subjektet e dyshuar si të interesuar për të kryer vrasjen të cilët edhe pse policia ushtroi kontrolle nuk mundi t’i gjejë në banesat e tyre.
Kjo edhe për shkak të lëvizjeve të shpeshta që ata bënin në zona të ndryshme të Shqipërisë, me siguri të ndihmuar nga një rreth i gjerë shoqëror të cilin e kishin krijuar kohë pas kohe.
Por ndërsa i shpëtuan për shumë muaj ndalimit, arrestimi i vëllezërve Xhani nuk vonoi në kohë.
Edhe pse ndalimi i tyre nuk erdhi për ekzekutimin e biznesmenit Bujar Nasufi, po për lidhje me një tjetër atentat mafioz të ndodhur në Shkodër, ku viktimë mbeti Elis Rroshkodol.
Arrestimi i tyre që u bë teksa po drekonin me krudo në një restorant në Gjirin e Lalzit, me disa personazhe të frikshëm të krimit..
Gjatë operacionit ‘Enigma’, policia finalizoi ndalimin e 7 personave, midis të cilëve 3 me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.
Janë pikërisht këto pamjet filmike të operacionit ‘Enigma’, ku midis personave të ulur në restorant, ku u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të cilat këta shtetas i mbanin me vete, me fishekë në fole gati për qitje, janë edhe vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kishin siguruar informacione në rrugë operative, se disa shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ishin në ambientet e një restoranti në gjirin e Lalzit dhe dyshohej se kishin armë zjarri me vete.
Çka bëri që në masa të larta sigurie, shërbimet policore të ndërhynin në mënyrë të befasishme në ambientet e restorantit ku ndodheshin këta shtetas.
Do të ishe pikërisht ky operacion që do të prangoste edhe Xhevdet Plakun.
45 vjeçari i njohur edhe me pseudonimin ‘Akili’. Një personazh i njohur me rekorde të shumta penale.
I cili krahas gjeneraliteteve të tij, mbante edhe rekordin absolut të 25 identiteteve të ndryshme.
Pikërisht ky që shikoni edhe në pamjet e operacionit, të siguruara nga Policia e Durrësit.
Plaku që është në përplasje të fortë edhe me Kep Arapin, një nga të fortët e Sukthit.
Ku hetimet treguan se Xhevdet Plaku ishte një nga të dyshuarit se ekzekutoi në Itali, bashkë me një person tjetër, vëllain e Kep Arapit, Sali Rapin. Ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Savonas, në vitin 2000.
Xhevdet Plaku që pas 14 vitesh përballje me drejtësinë, mori pafajësinë, i cili ndërkohë thuhet se drejtonte trafikun e drogës nga kryeqyteti hollandez i Amsterdamit, ku edhe ndodhej.
()