“Do të pastrojmë lagjet nga të gjitha zaptimet”, Rama: Po punojmë për muze të rinj në Tiranë, qyteti ka probleme, por…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një komentuesi në rubrikën e tij “Sy m’Sy”, duke adresuar kritikat për jetesën në kryeqytet dhe mungesën e hapësirave publike.

Ai këmbënguli se Tirana nuk vuan nga mungesa e institucioneve kulturore, por është një qytet në zhvillim të vazhdueshëm me projekte në vijim.

“Tirana ka kinema, ka teatër, ka muze dhe do ketë edhe më shumë. Po ndërtojmë teatrin e ri kombëtar, po zgjerojmë Galerinë Kombëtare, po rindërtojmë Muzeun Kombëtar dhe jemi duke ngritur disa të rinj, përfshirë Muzeun Besa dhe atë për artin islamik,” tha Rama.

Ai shtoi se ndërtimet që kritikohen si zënie hapësirash për parqe ndodhin mbi prona private dhe shteti nuk mund t’i ndalojë pa e kompensuar ligjërisht pronarin. “Nëse ndërtohet aty ku doni një park, mos harroni që është pronë private.”

Rama tha gjithashtu se është në proces një plan për pastrimin e lagjeve nga zaptimet dhe barrierat arbitrare për parkim.

Për më tepër, ai përmendi projektin për një qendër të re arti bashkëkohor në Petrelë dhe mundësinë për të sjellë një muze të madh evropian në Tiranë.

“Tirana ka kinema, nuk ka një por disa. Tirana ka teatër, jo nuk ka, por ka teatër. Informohu dhe ke shfaqje teatrale dhe ndërkohë po ndërtohet teatri i ri kombëtar. Aty ku ishte karakatina e vjetër  e teatrit pseudokombëtar. Tirana ka muze dhe ndërkohë jemi duke ndërtuar galerinë kombëtare, duke bërë shtesën e domosdoshme për të duke e transformuar. Jemi duke rindërtuar muzeun kombëtar që do jetë tërësisht i transformuar. Jemi duke punuar për një tjetër muze në Tiranë për etnografinë dhe artin e periudhës islamike. Jemi duke punuar për muzeun Besa, po në Tiranë. Më duket se Tirana ka muze dhe do ketë edhe më shumë. Është në kantier qendra e re e artit bashkëkohor në Petrelë. Jemi në diskutime për të marrë një muze të madh evropian në Tiranë. Cirku po ka nevojë të rikonceptohet. Parkime ka Tirana dhe do ketë edhe më shumë.

Nuk e di pse të zë frymën Tirana, ndërsa ata që e vizitojnë u nxit fjalët më të mira. Tirana ka probleme si një kryeqytet që zhvillohet përditë. Sa u përket mini parqeve që kërkoni, nëse shikoni që ndërtohet aty ku doni parqe kini parasysh se ka prona private dhe është e drejta e pronarëve. Ndërkohë po punojmë për një plan të ri të pastrimit të të gjitha hapësirave brenda lagjeve nga të gjitha zaptimet, duke nisur nga zaptimet me trarë dhe marrje e dhënie biletash për të parkuar makinën sepse dikush thotë kam një prona këtu. Nuk mund të përdorësh pronën si të duash duke u vënë traun qytetarëve në një bllok banimi”, tha Rama.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×