Tirana prej javësh ka marrë pushimet, ndërsa drejtuesit ende nuk kanë vendosur piketat për sezonin e ri.vllaznia balaj tirana fotoGjithsesi, bardheblutë kanë “armiqtë” e tyre në Kategorinë Superiore. Armiq u thënçin, pasi shumica e tyre janë lojtarë dhe ish-lojtarë bardheblu, të cilët, përpara Tiranës, arrijnë që të shkëlqejnë duke shënuar në breshëri. Bekim Balaj është lojtari i cili ka shënuar më shumë në portën e Tiranës dhe është ende aktiv. Me 10 gola në 13 ndeshje, shkodrani ka prè të preferuar ekipin e Tiranës. Më pas janë dy lojtarë të tjerë, Vasil Shkurtaj dhe Herald Marku. Dyshja është te Flamurtari dhe këtë sezon do të ketë mundësi të shënojë gola të tjerë, veç 7 dhe 6 në edicionet e kaluara. Më pas janë Uilliam Kordeiro, Dejvi Bregu dhe Xhuliano Skuka, edhe ky i kthyer në Superiore. Mes lojtarëve aktivë listën e mbyll Klevi Qefalija, që dikur ishte pjesë e bardhebluve.
BOMBERI I TIRANËS – Ualid Zharmuni ishte golashënuesi i Tiranës, ndërsa sulmuesi bardheblu ka arritur të thyejë golat e sezonit të shkuar të mbajtur nga Kristal Abazaj. Francezi ka shënuar në total 13 rrjeta, duke qenë një nga më të mirët në Superiore, paçka të tjerëve si: Balaj, Lushkja e Mandela. Gjithsesi, sulmuesi ka bërë më mirë, por jo për të thyer emra si Florent Hasani apo Taulant Seferi, që me fanellën e Tiranës kanë shënuar mbi 15 gola. Me 13 gola te Tirana, ai ka barazuar sezone të Bekim Balajt, Majkëll Ngosë kur ishin bardheblu, por vetëm kaq.
Zharmuni është munduar para porte dhe është më mirë se një sezon më parë, por Florent Hasani dhe Taulant Seferi në dy kampionate të tjera ku bardheblutë dolën kampionë dhe të dytët kanë shënuar 16 dhe 19 rrjeta. Edhe për mesataren e golave për ndeshje dhe të rrjetës për minuta, francezi është në mesin e 16 kampionateve të krahasuara, duke treguar se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe. Ekipi i Tiranës këtë sezon ka shënuar 44 gola. Bardheblutë në 37 takime kanë një nga sulmet më të mira, por mezi shpëtuan nga rënia në Kategorinë e parë.