PD kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve, KAS rrëzon kërkesat për qarqet Berat, Vlorë dhe Durrës

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka përfunduar shqyrtimin e disa kërkesave ankimore të paraqitura nga subjektet zgjedhore lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit 2025.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi rrëzimin e tre kërkesave ankimore me pretendime për pavlefshmëri zgjedhjesh dhe përsëritje të procesit në qarqet Berat dhe Vlorë.

Vendimet e rrëzuara

Ankimimi nr. 38, paraqitur nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, kundërshtonte vendimin e KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për qarkun Berat, dhe kërkonte pavlefshmëri të zgjedhjeve si dhe përsëritjen e tyre.

Ankimimi nr. 39, i depozituar nga i njëjti koalicion, kishte objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ për qarkun Vlorë, duke kërkuar gjithashtu pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve.

Ankimimi nr. 43, paraqitur nga Koalicioni Shqipëria Bëhet, kërkonte rinumërimin e votave në qarkun Vlorë dhe u shqyrtua së bashku me ankimimin nr. 39.

KAS vendosi të lërë në fuqi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelave përmbledhëse të qarqeve Berat dhe Vlorë, përkatësisht vendimet nr. 1319/2025 dhe nr. 1316/2025.

Durrës/ Kërkesa për hapje kutish, e rrëzuar

Po ashtu, u shqyrtua ankimimi nr. 45, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, për qarkun Durrës, ku kërkohej pavlefshmëria e zgjedhjeve, përsëritja e tyre si dhe hapja e kutive të votimit.

Me shumicë votash, KAS vendosi të rrëzojë kërkesën për hapjen e kutive të votimit, duke e cilësuar të pambështetur në ligj. Në të njëjtën linjë, u rrëzua edhe kërkesa e Partisë Lëvizja e Legalitetit, që kërkonte hapjen e kutive në të gjithë ZAZ Durrës. Sipas KAS, edhe nëse gjetjet e pretenduara do të konsideroheshin të provuara, ato nuk do të kishin ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Megjithatë, dy anëtarë të KAS-it, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, shprehën mendim të kundërt dhe kërkuan hapjen e kutive të votimit dhe atyre të materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 21 dhe 22, si dhe në 126 QV të tjera të përmendura në kërkesën e koalicionit PD–ASHM. Të njëjtit anëtarë propozuan hapjen e 60 kutive të kërkuara nga Partia Lëvizja e Legalitetit dhe gjithashtu të kutive të votave të ardhura nga diaspora për qarkun Durrës.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×