Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi ku një fëmijë 5-muajsh ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta në ishullin Paros. Prindërit e miturës, të dy me origjinë shqiptare dhe banues prej vitesh në ishull, janë shoqëruar nga autoritetet greke pasi dyshohen për ekspozim të rrezikshëm që çoi në vdekjen e fëmijës.
Ngjarja ndodhi të dielën pasdite, kur nëna e çoi të voglën në Qendrën Shëndetësore në Paros pa ndjenja, ku mjekët konstatuan se fëmija nuk merrte frymë. Pavarësisht përpjekjeve për reanimim, fatkeqësisht vajza kishte ndërruar jetë.
Sipas autoriteteve greke, ekzistojnë disa skenarë qe po hetohen lidhur me shkaqet e ngjarjes. Një nga dyshimet kryesore është se fëmija mund të jetë lënë për një kohë të gjatë në makinë, ndërsa prindërit ndodheshin në plazh.
Një banor i zonës deklaroi për televizionin grek Star se familja ishte në plazhin e Paraspóros dhe se e kishin lënë fëmijën në makinë për të fjetur, pasi kishte e kishte zënë gjumi gjatë rrugës. Një tjetër version që po hetohet është se foshnja mund të ketë qëndruar në diell për disa orë dhe ka humbur ndjenjat më vonë në shtëpi.
Sipas policisë greke, dëshmitë e prindërve nuk përputhen. Babai ka deklaruar se fëmija ishte me ta në plazh, ndërsa nëna ka thënë se e kishin lënë në makinë për të fjetur. Këto kontradikta kanë ngritur më shumë dyshimet për mënyrën sesi ndodhi vdekja e fëmijës.
()