Brazili kualifikohet në Botëror, Ancelotti shijon suksesin e parë me Seleçao-n

Në 66-vjetorin e Carlo Ancelottit, Sao Paulo e mirëpriti trajnerin e Kombëtares Braziliane në fushë për ndeshjen kundër Paraguait me një koreografi gjigante që shfaqte urimin “Auguri Carletto” (Gëzuar ditëlindjen, Carletto).

Emri i trajnerit ishte një nga më të duartrokiturit nga publiku gjatë shpalljes së formacioneve, së bashku me atë të sulmuesit Vinicius Júnior. “Fitorja do të ishte dhurata më e mirë,” tha trajneri në konferencën për shtyp para ndeshjes, e cila mund të rezultojë vendimtare për Brazilin. Dhe në fakt kështu ndodhi.

Fitorja e parë e Carlo Ancelottit si trajner i Brazilit përkon edhe me kualifikimin aritmetik në Kupën e Botës 2026: Brazili është i dyti së bashku me Ekuadorin dhe ka +7 pikë ndaj Venezuelës që renditet e shtata. Seleção konfirmon rekordin e saj historik: është i vetmi vend që është kualifikuar në çdo edicion të Kupës së Botës, nga viti 1930 e deri më sot.

Pas barazimit pa gola kundër Ekuadorit, Ancelotti ndryshon sistem dhe zgjedh një formacion 4-2-2-2, me Raphinhan dhe Martinellin në krahë, ndërsa Vinicius Junior luan më në qendër me Matheus Cunhan.

Verdeoro-t humbin menjëherë një rast me Vinicius Junior dhe përpiqen të çajnë mbrojtjen shumë të ngjeshur të Paraguait, që kërkon të mos lërë asnjë hapësirë. Matheus Cunha gabon një gol të sigurt, por jep asistin për avantazhin: top i rrëmbyer dhe kros perfekt për Vinicius Junior, i cili shënon dhe feston me një përqafim ndaj Ancelottit.

Pjesa e dytë është më e balancuar, me Alisson vendimtar ndaj Sanabrias dhe me Junior Alonson që rrezikon të barazojë, por gjithashtu me raste për dyfishim: Martinelli dhe Bruno Guimarães i afrohen shumë golit të dytë. Megjithatë rezultati nuk ndryshon deri në fund, Brazili i Carlo Ancelotti fiton, ngjitet në 25 pikë dhe feston kualifikimin në Kupën e Botës.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×