Artan Tafani, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka dhënë një tjetër dëshmi tronditëse përpara togave të zeza të Gjykatës së Posaçme, duke zbuluar detaje rreth atentatit ndaj Kujtim Metës.
Sipas rrëfimit të Tafanit, babai i Laert Haxhiut, kishte pasur një konflikt fizik me Metën. “E kishte rrahur me grushte babanë e Laertit dhe donin ta vrisnin me thikë, për të mos u zbuluar,” tha Tafani, duke treguar se planifikimi kishte nisur me bashkëpunimin e një rrethi të gjerë personash.
Ai përmendi Dorian Shurdhin, mik i Laert Haxhiut nga Belgjika, i cili fillimisht e kundërshtoi vrasjen duke thënë: “Do na kalbë në burg”. Por më pas atentati u realizua në një lokal, ku Tafani qëlloi tetë herë me një armë të llojit Zastava.
“Ky ishte ulur në lokal. Qëllova menjëherë. U hodh nga karrigia, por e qëllova përsëri. Ika kur më mbaruan fishekët. Mesa dëgjova, e kishte kapur në bark”, tha Tafani.
Pas atentatit, Tafani tregoi se u largua në këmbë, kaloi shinat e trenit dhe u mor me makinë. Rruga e arratisë kaloi përmes Çermës dhe më tej drejt Tiranës. Ata nuk ndaluan kur u sinjalizuan nga një patrullë policie. Ndërkohë, armët u hodhën në të njëjtin vend ku ishte hedhur edhe arma e përdorur në vrasjen e Albi Bashaliut.
Tafani u shpreh se ishte i maskuar me kapuç, një xhup të madh dhe një maskë COVID-i gjatë atentatit, duke tentuar të shmangte identifikimin.
Dëshmia e tij është pjesë e një sërë rrëfimesh që po zbardhin rrjetin kriminal dhe urdhëruesit e vrasjeve që kanë tronditur opinionin publik.