Janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë dy shtetas të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Dashnor Dumani dhe Artemis Stafa, të cilët akuzohen për përfshirje në aktivitete të rënda kriminale dhe janë nën hetim nga SPAK.
Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit — një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vend — ishte i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe akuzohet nga Gjykata e Posaçme për vrasje dhe vjedhje me armë. Ndërsa Artemis Stafa dyshohet për pastrim parash në shërbim të një grupi kriminal me bazë në Elbasan.
Me 27 maj Armis Stafa alias Armees Stava, është vënë në pranga në Dubai, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia shqiptare. 36-vjeçari akuzohet nga Gjykata e Posaçme për përfshirje në pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.
Sipas të dhënave zyrtare, Stafa ka qenë pjesë e një skeme financiare të ndërlikuar që operonte përmes shitblerjes së automjeteve, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të fondeve. GJKKO i ka caktuar që në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa aktualisht po procedohet për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Policia e Shtetit konfirmoi se ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Të dy të arrestuarit do të përballen me drejtësinë shqiptare në kuadër të hetimeve të thelluara të ndërmarra nga SPAK për çmontimin e rrjeteve kriminale në vend.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit
Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
-D. D., i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë;
-A. S., i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.