Një konflikt i dhunshëm i shoqëruar me të shtëna me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.
Policia e kryeqytetit ka reaguar me një njoftim zyrtar, duke shpallur në kërkim katër persona të dyshuar për përfshirje në përplasjen fizike, e cila çoi në plagosjen e një 26-vjeçari.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja arme zjarri, një shkop bejsbolli dhe disa sende të tjera, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 shpallën në kërkim shtetasit F. D., 36 vjeç, D. Zh., 25 vjeç, M. D., 27 vjeç dhe F. S., 27 vjeç, pasi mbrëmë, rreth orës 23:00, në rrugën “Ali Demi”, dyshohet se janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin. Si pasojë është dëmtuar shtetasi G. K., 26 vjeç (i dyshuar i përfshirë në konflikt), i cili mori ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Me 26-vjeçarin do të kryhen veprime procedurale në vijim, pasi ka deklaruar të dhëna kontradiktore për ngjarjen. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se gjatë konfiktit është qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kryerjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 1 shkop bejsbolli, 2 gëzhoja, 1 automjet dhe 3 celularë. Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.