Shqipëria qëndron përballë Ukrainës duke shprehur mbështetje të plotë në kauzën e saj për liri e sovranitet. Ky ka qenë mesazhi i kryeparlamentares Elisa Spiropali në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të Samitit t “Evropë Juglindore-Ukrainë” në Odesa të Ukrainës.
“Ne jemi përkrah jush sepse besojmë thellësisht në parimet që na bashkojnë, parime që tashmë sulmohen nga agresioni i paprovokuar dhe brutal i Rusisë. Ne nuk mund të jemi indiferent nga realiteti që kemi përpara. Kjo luftë tashmë në vitin e saj të tretë ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar”, tha Spiropali.
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, në Samitin “Evropë Juglindore – Ukrainë”
Shkëlqesia Juaj, President Zelenski, i dashur mik,
Të nderuar Kryetarë të Shteteve dhe Qeverive,
Të nderuar kolegë dhe miq,
Kam nderin dhe përgjegjësinë solemne t’ju drejtohem sot, këtu në Odesa-një qytet emri i të cilit është tashmë simbol i guximit dhe qëndresës.
Jemi mbledhur në një moment me rëndësi të jashtëzakonshme. Samiti Ukrainë–Evropa Juglindore nuk është thjesht një tjetër takim në kalendarin diplomatik. Ai është një pikë bashkimi – një rikonfirmim kolektiv i vlerave tona të përbashkëta: paqes, sovranitetit dhe stabilitetit rajonal. Mbi të gjitha, ndodhemi këtu për të shprehur solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën në luftën e saj të drejtë dhe heroike për të mbrojtur pavarësinë, demokracinë dhe popullin e saj.
Si përfaqësuese e një kombi të vogël, por qëndrestar, një kombi që e di mirë çmimin e lirisë dhe vlerën e paqes, jam sot këtu për të rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën. Ne jemi përkrah jush sepse besojmë thellësisht në parimet që na bashkojnë – parime që tashmë sulmohen nga agresioni i paprovokuar dhe brutal i Rusisë.
Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj realitetit që kemi përpara. Kjo luftë – tashmë në vitin e saj të tretë – ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar. Ajo ka lëshuar një hije të gjatë dhe të errët mbi Evropë, duke kapërcyer kufijtë e Ukrainës. Dhe nuk rrezikohet vetëm e ardhmja e një shteti sovran, por vetë integriteti i sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Agresioni i Rusisë është më shumë se një shkelje e integritetit territorial të Ukrainës. Ai është një goditje ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Është një sfidë ndaj demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës së çdo kombi – të madh apo të vogël – për të përcaktuar vetë fatin e tij.
Të dashur miq,
Pavarësisht vuajtjeve të mëdha dhe shkatërrimit të pamasë, populli i Ukrainës ka qëndruar me një guxim të pashoq. Qëndresa e tyre përballë mizorive ka frymëzuar botën. Qytetet mund të jenë kthyer në gërmadha, jetët janë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme dhe miliona njerëz janë detyruar të largohen – por shpirti ukrainas nuk është thyer. Përkundrazi, ai shndrit më shumë se kurrë, duke ndriçuar rrugën për të gjithë ata që besojnë tek liria.
Ne nuk mund ta bëjmë një sy qorr përpara këtyre krimeve. Rusia duhet të japë llogari – për çdo predhë, për çdo krim lufte, për çdo jetë të humbur. Heshtja është bashkëfajësi, dhe bota nuk mund t’ia lejojë vetes të rrijë e heshtur.
Lufta e Ukrainës sot është një provë e ndërgjegjes tonë kolektive. Është një provë për të parë nëse jemi të gatshëm të qëndrojmë në mbrojtje të vlerave që pretendojmë se i çmojmë. Dhe është një provë ku nuk mund t’ia lejojmë vetes të dështojmë– jo vetëm për Ukrainën, por për të ardhmen e paqes në Evropë dhe për brezat që do të vijnë.
Ne, në Evropën Juglindore, këtë e kuptojmë shumë mirë. Shumë prej vendeve tona kanë përjetuar konfliktin, shtypjen dhe pushtimin. Ne e dimë çfarë do të thotë të luftosh për të drejtën për të jetuar në paqe, për të zgjedhur të ardhmen tonë dhe për të qenë pjesë e një komuniteti kombesh të lira. Për këtë arsye, duhet të bëjmë më shumë.
Së pari, duhet të vijojmë mbështetjen tonë të palëkundur politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.
Së dyti, duhet të përballemi me kërcënimet e tjera që shoqërojnë këtë luftë – dezinformimin, sulmet kibernetike dhe përpjekjet për të destabilizuar demokracitë tona nga brenda.
Së treti, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për tu riangazhuar për Evropën që duam të ndërtojmë – një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Sepse paqja nuk është diçka që ta japin. Ajo është një përgjegjësi. Duhet të fitohet, të mbrohet dhe të përtërihet.
Shqipëria është e vendosur për këtë angazhim. Ne kemi mbështetur Ukrainën përmes ndihmës humanitare, miratimit të sanksioneve dhe avokimit të zëshëm për rrugëtimin e saj evropian. Ne besojmë se Ukraina i përket Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojmë të jemi një zë i fuqishëm në mbështetje të integrimit të saj.
Të dashur miq,
Sot dua të përcjell jo vetëm fjalë solidariteti, por një premtim: Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës – sot, nesër dhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Lufta juaj është edhe lufta jonë. Shpresa juaj është edhe shpresa jonë. E ardhmja juaj është e ardhmja jonë e përbashkët.
Uroj të kthehet së shpejti paqja, drejtësia dhe liria në Ukrainë!
Faleminderit!