Tirana e këtij sezoni do të mbahet mend për 13 golat e shënuar nga Ualid Zharmuni, 40 takimet e plota të Gentian Selmanit, si dhe ndeshjen “play out”.
Bardheblutë kanë pasur këta dy flamurë në kampionatin që sapo u mbyll mund të veçohen, pasi kanë treguar diçka ndryshe. Selmani ka qenë i palëvizshëm nga porta, duke lënë në stol të gjithë të tjerët, aq sa Harizaj u largua te Vora, ndërsa Kozi nuk luajti asnjë sekondë. Zharmuni shënoi, por edhe gaboi në momente deçizive, ndërsa nuk mbetën pas edhe të tjerët.
SULMUESIT – Te Tirana ka pasur një mori lojtarësh, por dy janë ata që kanë shënuar më shumë. Bëhet fjalë për Ualid Zharmunin dhe Akileu Ndrecën. Të dy kanë 21 gola, 13 dhe tetë respektivisht. Më pas, Ernest, Bajroviç, Ismajli e me radhë. Skuadra ka pasur disa lojtarë që kanë tundur rrjetën në këtë kampionat, por që nuk kanë kaluar numrin 3. Bardheblutë, gjithashtu kanë qenë edhe një nga sulmet më të mira të Kategorisë Superiore, por edhe nga mbrojtjet më të këqija.
TË PAAKTIVIZUARIT – Tetë janë lojtarët që deri tani nuk kanë marrë një minutë në Superiore. Ata janë: R. Harizaj, L. Kozi, F. Doka, D. Dollaku, O. Patushi, E. Reçi, D. Ahmetaj dhe D. Duro, ndonëse janë të federuar dhe kanë qenë të paktën një herë në formacion.
TË VEÇANTAT – Ualid Zharmuni është futbollisti më i zëvendësuar te Tirana, me plot 16 herë. Akileu Ndreca është ai që ka hyrë më shumë si zëvendësues në lojë, 19 lojëra. Harizaj ka qenë 38 herë në stol, por pa luajtur qoftë edhe një minutë. Lojtarët me më shumë kartonë janë Gledi Mici me 8 të verdhë e një të kuq dhe Soler me tetë të verdha.
SEZONI – Nëse në sezonin 2016-2017, Tirana grumbulloi 39 pikë dhe ra nga Superiorja, të njëjtën gjë bëri edhe këtë sezon. Mori vetëm 39 pikë, por e rrezikoi kategorinë, duke shpëtuar nga sfida “play out”. Nga sezoni i fundit, Tirana është 11 pikë më pak, ndërsa nga dy sezone më parë, 28 pikë. Për të mos folur për vitet e titullit, respektivisht 34 dhe 31 pikë. Asnjëherë që prej kthimit në kategori, Tirana nuk kishte marrë kaq pak pikë. Edhe në dy kampionatet që nuk ka shkuar në Europë, ka grumbulluar 47 dhe 58 pikë, çka tregon se shifrat kanë qenë shumë të dobëta.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL